Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se, Komisioni për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin do të shkojë deri në fund nën drejtimin e Fatmir Xhafajt.

Në fjalën e tij në Asamblenë Kombëtare të PS-së në Durrës, Rama u shpreh se, “sa shumë llafe dhe teori konspiracioni u bënë për projektin tonë të ri të Mirëqeverisjes, Sundimit të Ligjit dhe Antikorrupsionit. Jo i ka zënë frika nga SPAK-u, jo duan të vënë nën kontroll drejtësinë, jo u bënë bashkë me non gratën për t’u mbrojtur nga drejtësia dhe ku di unë çfarë fantazish të tjera akoma”.

Në fakt, theksoi Rama, “krejt e kundërta e gjithë këtyre është e vërteta e atij projekti, i cili nisi pavarësisht të gjithë rezistencës absurde të atyre që s’e kanë idenë as të shtetbërjes evropiane dhe as të përmbajtjes së procesit të negociatave të anëtarësimit të Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Që ka drejtpërdrejt nevojë për këtë projekt”.

“Ky projekt do të shkojë deri në fund, nën drejtimin e kolegut dhe shokut tonë Fatmir Xhafaj, pavarësisht nëse do të duan apo nuk do të duan ata që deri tani nuk duan”, tha Rama.

Po ashtu, shtoi Rama, “do të bëhet publik së shpejti dhe do të shkojë deri në fund edhe projekti ynë i ri i Shqipërisë transparente, i cili do të shlyejë deri në fund borxhin që u kemi akoma qytetarëve tanë lidhur me sasinë dhe cilësinë e informacionit në kohë reale mbi vendimmarrjet tona në çdo nivel”./ata