Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se, në zgjedhjet e ardhshme PD-ja zor se do të marrë më shumë mandate se në 1997.

Në fjalën e tij në Asamblenë Kombëtare të PS-së në Durrës, Rama u shpreh se, PS ngjan shumë me Partizanin e pakonkurrueshëm të basketbollit.

“Fitorja nuk i takona tij që vetëm e do, por atij që e do aq shumë sa është gati të bëjë gjithçka për ta marrë”, tha Rama.

“Eksperienca jonë është vërtet e madhe tanimë dhe forca jonë po ashtu, por më të madhe se eksperiencën ne kemi sot nevojën për forcën për ta ndryshuar më shumë se asnjëherë më parë skuadrën që do të bëjmë gati për fitoren e mandatit të 4-t”, tha Rama.

Sepse, shtoi Rama, “sot ka ardhur dhe koha e natyrshme që një brez më i ri sesa ky që e ka përfaqësuar PS-në e këtyre 10 viteve të ketë më shumë vend në përfaqësimin e PS-së së 4 viteve të ardhshme. Ato vite drejt majës së Shqipërisë 2030 anëtare të BE duhet të jenë dhe vitet e ndryshimit të mençur të brezave për të garantuar udhëheqjen e PS-së të dekadës tjetër, kur Shqipëria do të përballet me të tjera sfida si shtet anëtar i BE-së”.

Rama u shpreh se në të vërtetë ka vetëm një gjë që është më keq sot sesa përpara 11 vjetësh në Shqipëri, Partia Demokratike e Shqipërisë.

“Mbajeni mend sot këtë fjalë. Unë nuk shoh filxhan dhe nuk parashikoj të ardhmen por në dimë të lexojmë mendjen e popullit, jo vetëm se kemi patronazhistët, po sepse kemi tanimë një strukturë shkencore të kolauduar që bën anketimet e përmuajshme të opinioneve të njerëzve. Në zgjedhjet e ardhshme PD-ja zor se do të marrë më shumë mandate se në 1997. Mbajeni shënim”, tha Rama.

“I vetmi ndryshim është se atëherë e tërë Shqipëria ishte në humnerën ku ra ajo parti, ndërsa këtë herë humnera është destinacion ekskluziv i vetëm asaj partie. Një destinacion i zgjedhur me vullnet të lirë prej udhëheqësve udhëprerës të saj”, tha Rama./ata