Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u shpreh sot se Shqipëria po përjeton krizë të thelluar ekonomike dhe mjedisore.
Në një video postuar në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se, debati i vetëm rreth zhvillimit ekonomik të vendit lidhet ngushtësisht me menaxhimin e mbetjeve.
Sipas saj, ky debat ka rikthyer në qendër të vëmendjes ligjin e importit dhe transportit të mbetjeve, të cilat janë të ndaluara me ligj.
“Aty ku ka mbetje, funksionon shumë mirë edhe parimi i korrupsionit. Kjo është arsyeja përse në Shqipëri, debati i vetëm ekonomik lidhet vetëm me mbetjet, sepse aty gëlon korrupsioni, ashtu si në çdo nivel tjetër dhe në çdo qelizë tjetër të qeverisjes. Ndërkohë që fqinjët tanë zihen dhe luftojnë për investime të huaja, nga industria automotive, deri tek ajo e prodhimit të ushqimeve, Shqipëria ka vetëm një burim të investimeve të huaja: paratë e pista. Dhe jo më kot, përsëri debati kthehet tek mbetjet”, tha Tabaku.
Ajo theksoi nevojën urgjente për të ndryshuar sistemin dhe për të ndërtuar një model të ri zhvillimi ekonomik, që do të tërheqë investime të huaja të ligjshme.
“Kjo është arsyeja që ne duhet ta ndryshojmë këtë sistem. Ne duhet të dalim nga diskutimi i korrupsionit dhe të ndryshojmë modelin e zhvillimit ekonomik, për të tërhequr investime të huaja që shkojnë përtej këtij llumi dhe përtej këtij diskutimi që lidhet vetëm me mbetjet. Shqipëria ka nevojë që sot të hapet për investime të huaja në të gjitha fushat”, u shpreh Tabaku./ata