Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se, ekonomia tashmë po rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe prandaj edhe pagat janë sot, pakrahasimit më të larta
Në fjalën e tij në Asamblenë Kombëtare të PS-së në Durrës, Rama u shpreh se, “sot, e ardhmja e Shqipërisë është një horizont që afrohet përditë, sepse përditë Shqipëria ecën drejt saj, duke arritur rezultate gjithnjë e më të dukshme në çdo drejtim”.
“Një shifër, nuk e kam nxjerrë nga sirtari i Partisë Socialiste, po nga Google. Kur ne morëm detyrën, gati një çerek shekulli pas shembjes së diktaturës, prodhimi i përgjithshëm kombëtar i Shqipërisë, pra e tërë sasia e parasë së prodhuar në Shqipëri ishte 12.7 miliardë dollarë. Brenda një dekade, ne e kemi dyfishuar atë në rreth 25 miliardë dollarë. Në të dhënat publike që mund t’i gjeni, mjafton të kërkoni GDP-ja e Shqipërisë, thuhet ekzaktësisht 25.4. 12.7, 25.4. Patjetër që ata që kundërshtojnë do të thonë që Google punon për ne, të gjithë punojnë për ne. Po më shumë se të gjithë, ata punojnë për ne dhe punojnë me këmbëngulje të madhe”.
“Ekonomia tashmë po rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe prandaj edhe pagat janë sot, pakrahasimit më të larta, jo vetëm në sektorin publik ku ne e arritëm përpara parashikimit mesataren e premtuar prej 900 eurosh, por edhe në sektorin privat, ku në fushat prioritare të zhvillimit të vendit, pagat janë ende shumë më të larta sesa ato që deklarohen, pavarësisht progresit në luftën kundër informalitetit që është qartësisht i pamjaftueshëm”, tha Rama.
“Borxhi publik, i cili kur ne morëm detyrën ishte komplet jashtë kontrollit, sot është më i ulët se qysh se mund të mbahet mend, disa pikë nën 60% dhe mos harrojmë që midis 10 viteve më parë dhe sot, hyri në mes dhe tërmeti me pandeminë që e rikërcyen lart borxhin dhe kapaciteti për ta kthyer borxhin brenda kafazit të dëshiruar, tregon fuqinë e ekonomisë, jo fuqinë e diktaturës. Rënia konstante e tij, është e rëndësishme ndër të tjera, se tregon që pagat i rrit, rritja e ekonomisë, nuk i rrit menaxhimi aventurës i financave publike. I rrisin reformat dhe përmirësimi i qeverisjes në përgjithësi që po japin fryte të reja, duke na dhënë ne mundësinë që në çdo hap, të mendojmë për një rishpërndarje më të gjerë të pasurisë së krijuar. Ky është dhe qëllimi më madhor si një forcë e së majtës së shekullit të ri, që nuk udhëhiqet as nga dogmat ideologjike, as nga iluzionet jologjike”, theksoi kreu i qeverisë.
Rama shtoi se, “falë progresit që kemi siguruar me reforma të dhimbshme, peripeci të pashmangshme dhe përpjekje e pandalur dhe e bazuar në parametrat pozitivë të pasqyrës ekonomike të vendit, sot ky qëllim madhor dhe parim i panegociushëm i një force të majtë”./ata