Oficerë të lartë ushtarak izraelitë kanë akuzuar udhëheqjen politike të vendit për nxitje të përshkallëzimit në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Oficerët thanë se ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir dhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich, janë “drejpërdrejt përgjegjës” për rritjen e dhunës në territorin e pushtuar, si dhe paralajmëruan se situata mund të shkojë në një kryengritje të plotë me shumë të rinj palestinezë që tashmë po përballen me papunësinë dhe mungesën e mundësive.
“Ne po përpiqemi të parandalojmë popullsinë që të bashkohet tërësisht me dhunën”, tha një oficer ushtarak për gazetën ‘Yedioth Ahronoth’, duke shtuar se kufizimet e vazhdueshme izraelite kanë përkeqësuar tensionet në zonë.
E përditshmja izraelite paralajmëroi se sulmet ndaj palestinezëve nga kolonët e paligjshëm izraelitë gjithashtu nxisin të rinjtë palestinezë t’u bashkohen grupeve të armatosura në Bregun Perëndimor.
“Kjo situatë nuk mund të vazhdojë. Jemi në prag të një shpërthimi të madh në Judea dhe Samari (në Bregun Perëndimor)”, tha një tjetër oficer i lartë ushtarak.
Oficerët izraelitë paralajmëruan se provokimet nga zyrtarët qeveritarë si ndërhyrjet e ministrit Ben-Gvir në Xhaminë Al-Aksa dhe përpjekjet e tij për të lejuar lutjet hebraike në vendin e pikës së nxehtë, rrezikojnë të ndezin tensionet në Bregun Perëndimor dhe në të gjithë botën arabe.
Javën e kaluar, ushtria izraelite nisi operacionin e saj më të madh ushtarak në Bregun Perëndimor verior në dy dekada, duke vrarë të paktën 40 palestinezë dhe duke shkaktuar shkatërrime masive në zonë.
Tensionet janë intensifikuar në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar derisa Izraeli vazhdon ofensivën në Rripin e Gazës, ku që nga 7 tetori i vitit të kaluar ka vrarë të paktën 40.900 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.
Që nga ajo kohë, të paktën 692 persona janë vrarë dhe mbi 5.700 të tjerë janë plagosur nga të shtënat izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Përshkallëzimi vjen pas një vendimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 19 korrik, i cili e shpalli të paligjshëm pushtimin prej dekadash të territoreve palestineze nga Izraeli dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjithë vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor./aa