Shqipëria U-19 zhvilloi pasditen e sotme ndeshjen e dytë miqësore ndaj bashkëmoshatarëve të Turqisë. Në takimin e luajtur në Izmit të Turqi, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj u mposhtën me rezultatin minimal 1-0.
Tekniku shqiptar hodhi në fushë këtë 11-she titullare: Amarildo Dervishaj (GK), Antonis Dhama, Fabjan Perndreca, Denis Prendi, Adi Kurti (C), Mattia Huqi, Ersi Bode, Frederik Tosku, Flavio Sulejmani, Ergis Arifi, Briajan Gjyla.
Kuqezinjtë dominuan pjesën e parë dhe krijuan disa raste të mira me Sulejmanin, Gjylën dhe Arifin por pa sukses. Pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0.
Në fraksionin e dytë trajneri Ahmataj kreu disa zëvendësime në fushë, duke u dhënë mundësinë thuajse të gjithë lojtarëve të tregojnë cilësitë e tyre.
Turqia shënoi golin e vetëm të takimit dhe të fitores në minutën e 85-të. Kuqezinjtë u munduan të reagonin për të barazuar rezultatin por pa sukses. Në fund sfida u mbyll me fitoren e Turqisë U-19 me rezultatin minimal 1-0. Edhe dy dite me pare, po kundër Turqisë, ekipi ynë U-19 u mposht sërish me rezultatin 1-0.
Ndeshjet miqësoret ndaj Turqisë U-19 ishin një mundësi e mirë për stafin teknik të Kombëtares U-19 për të kolauduar skuadrën në kuadër të impenjimeve në kualifikueset e Europianit “Rumani 2025” për këtë grupmoshë që do të luhen në vendin tonë në muajin nëntor.
Shqipëria është pjesë e Grupit 11, së bashku me Izraelin, Danimarkën dhe Irlandën e Veriut dhe ka si objektiv kalimin në fazën “Elite Round”./Shqiptarja