Aplikimi i sistemit të ri të tarifimit për furrat e bukës dhe aktivitetet e integruar në to ka përfunduar për 2046 abonentë, sipas Shoqatës së Bukës, Pastiçerisë dhe Brumrave. Teksa referon të dhënat nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, shoqata bën me dije se nga data 1 maj, kur hyri në fuqi skema e re, deri në fund të muajit gusht ka rezultuar se janë 955 abonentë që do të tarifohen me 7.6 lekë/kWh, çka sugjeron se këto subjekte janë vetëm furra buke dhe nuk kanë asnjë aktivitet tjetër të integruar në to. Po ashtu, ka rezultuar se në fashën e tarifimit 9.5 lekë/ kWh janë 874 abonetë. Ky çmim apikohet për ato subjekte që kanë furra buke, produkte pastiçerie apo dhe produkte të tjera të brumërave. Ndërkohë që, në fashën e tretë ku përfshihen çmimi 12 lekë/ kWh kanë rezultuar 217 abonentë. Kategoria e tretë përfshin ato ambiente që janë më të zgjeruara e që kanë të përfshirë ekspres, bar dhe kafe.
Më herët Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike iu bëri apel furrave të bukës të deklarojnë kontratat dhe të aplikojnë për ndryshimin e tarifës 14 lekë/kWh, që aplikohej më herët tek një pjesë e tyre. Subjektet e interesuar duhet të paraqiten pranë pikave të Kujdesit Ndaj Klientit dhe të deklarojnë kontratat e furnizimit me energji elektrike sipas qëllimeve të aktivitetit furrë buke dhe shërbimeve të integruara pastiçeri dhe/ose bar kafe. Deklarimi i të gjitha kontratave të energjisë iu jep mundësi këtyre bizneseve të kenë një kontratë të vetme, me tarifën më të mirë, bazuar në llojin e aktivitetit të ushtruar./Scan