Qytetarët shqiptarë që jetojnë në emigracion nuk do të përfitojnë më bonusin e bebes, i cili aplikohet që prej vitit 2019.

 

Ndryshimi ligjor që përjashton emigrantët nga ky përfitim u hodh në konsultim publik për 1 muaj.

 

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në projektligjin që pritet të kalojë për miratim ka propozuar që në nenin 9, pika 1 e ‘Ligjit për asistencën sociale’, të përjashtojë nga përfitimi i këtij bonusi personat që nuk janë rezidentë në Shqipëri.

 

 

Nuk dihet se sa emigrantë e kanë përfituar deri më tani këtë bonus, që është në vlerën e 40 mijë lekëve për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë.

 

Që prej janarit të vitit 2019 kur ka nisur programi i qeverisë, më shumë se 170 mijë familje kanë përfituar nga ndihma financiare për fëmijët e porsalindur.