Shefi i Misionit të Palestinës në Britani të Madhe, ambasadori Husam Zomlot tha se Izraeli i cili vepron pa u ndëshkuar për 76 vjet, së fundmi ka vrarë në Bregun Perëndimor të pushtuar vullnetaren joqeveritare shtetasen amerikane dhe turke Ayşenur Ezgi Eygi dhe i bëri thirrje SHBA-së dhe komunitetit ndërkombëtar që të kalojnë në veprim për të kërkuar llogari nga përgjegjësit.
Ambasadori Zomlot foli për gazetarin e AA-së lidhur me vrasjen e shtetases turko-amerikane Eygi më 6 shtator nga ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Duke tërhequr vëmendjen se Izraeli me qasjen e "mosndëshkimit" ka 76 vjet që vret jo vetëm palestinezë, por edhe qytetarë të kombeve të ndryshme, Zomlot vuri në dukje se mes tyre kishte shtetas të SHBA-së, Britanisë dhe Türkiyes.
"SHBA-ja nuk i ka kërkuar asnjëherë llogari ndaj tyre që ka vrarë shtetasit e saj, e jo më për popullin palestinez. Pra, ky është momenti kur bëhet e qartë se Izraeli është i lirë të vrasë kë të dojë, përfshirë aktivisten 26-vjeçare të paqes (Ayşenur Ezgi Eygi) e cila ndodhej atje për të luftuar për drejtësi dhe për të mbrojtur palestinezët nga dhuna dhe terrorizmi i kolonëve që kanë mbështetjen e plotë të ushtrisë së saj", tha Zomlot.
Ai shprehu ngushëllimet e tij për familjen e aktivistes turke Eygi. "Ne i bëjmë thirrje SHBA-së dhe komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrin veprime për të garantuar drejtësi për këto viktima dhe të kërkojë llogari ndaj kriminelëve, sepse Izraeli nuk do ta bëjë kurrë këtë", tha Zomlot.
Sipas tij, Izraeli nuk është mbajtur përgjegjës për asnjë krim që ka kryer për më shumë se 70 vjet. "Izraeli nuk do ta hetojë kurrë veten. Kurrë nuk do të marrë një vendim se ata kanë kryer krim lufte. Kjo është arsyeja pse duhet të ketë llogaridhënie ndërkombëtare", tha ai.
"Drejtësia nuk vihet sepse Izraeli mbulon krimet e tij"
Ambasadori Zomlot deklaroi se përpara aktivistes Eygi, ushtarët izraelitë vranë më 16 mars 2003 aktivisten amerikane Rachel Corrie, më 13 janar 2004 fotoreporterin britanik Tom Hurndall dhe më 11 maj 2022 gazetaren me përvojë në terren të televizionit Al Jazeera me qendër në Katar, Shireen Abu Akleh, shtetase amerikane me origjinë palestineze.
Pasi vuri në dukje se Izraeli nuk është mbajtur përgjegjës për asnjë aktivist ndërkombëtar që ka vrarë deri më tani, Zomlot e përfundoi fjalën e tij duke thënë:
"Deri më tani, ne nuk kemi parë askënd të mbahet përgjegjës. Drejtësia nuk vihet sepse Izraeli mbulon krimet që ka kryer. Kjo është arsyeja pse ne themi se mund të ketë vetëm një hetim ndërkombëtar të pavarur si Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP). Vetëm llogaridhënia ndërkombëtare mund të jetë shpresë".
Aktivistja Ayşenur Ezgi Eygi, e cila u vra nga ushtarët izraelitë
Ayşenur Ezgi Eygi ishte e përfshirë në mënyrë aktive në lëvizjet e solidaritetit në mbështetje të të drejtave të palestinezëve. Më 6 shtator, ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj pjesëmarrësve gjatë një proteste paqësore kundër zgjerimit të tokave palestineze të pushtuara nga Izraeli në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Eygi ka nënshtetësi amerikane e cila mori pjesë në protestën në mbështetje të palestinezëve, u qëllua në kokë dhe u plagos rëndë. Eygi u dërgua në një spital palestinez dhe pavarësisht ndërhyrjes nuk arriti ë shpëtojë.
Me arsimim të dyfishtë në psikologji dhe për gjuhë të Lindjes së Mesme në Universitetin e Washingtonit, Eygi ishte një aktiviste vullnetare për të drejtat e njeriut me Lëvizjen Ndërkombëtare të Solidaritetit (ISM), i cili mbështet palestinezët përmes metodave paqësore dhe civile kundër pushtimit të tokave palestineze nga Izraeli.
Shtetasja amerikane Rachel Corrie, e cila u shtyp për vdekje nga një buldozer izraelit në vitin 2003, ishte gjithashtu anëtare e së njëjtës lëvizje. Eygi ishte aktive në lëvizjet e solidaritetit në mbështetje të të drejtave të palestinezëve. Vdekja e saj shkaktoi zemërim dhe kërkesa për përgjegjësi në komunitetin vendas dhe ndërkombëtar.
E lindur në Antalya në vitin 1998, Eygi u transferua në Seattle të SHBA-së me familjen e saj kur ishte më pak se një vjeç./aa