Shtetasi izraelit Yuval Moav, kundërshtues për arsye ndërgjegjeje i cili refuzoi të bashkohej me ushtrinë si reagim ndaj sulmeve të Izraelit kundër Gazës që nisën më 7 tetor, deklaroi se beson se Izraeli po kryen gjenocid ndaj civilëve në enklavën palestineze.

Yuval Moav, shtetas izraelit 18-vjeçar, i cili u burgos për shkak të mospjesëmarrjes në ushtrinë izraelite, tregoi për Anadolu përvojat e tij pasi refuzoi t’i bashkohej ushtrisë izraelite.

Duke theksuar se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, Moav deklaroi se nuk mund të gjente asnjë mundësi tjetër përveçse të mos bashkohej me ushtrinë për ta kundërshtuar pushtimin.

Ai tregon se Izraeli e ka burgosur ​​një muaj më parë. “Unë jam 18 vjeç dhe refuzoj të jem palë në gjenocid. Sapo jam kthyer nga dënimi im i parë prej 30 ditësh në burgun ushtarak izraelit dhe do të kthehem sërish. Përsëri mund të burgosesh deri në 30 ditë për refuzim të shërbimit ushtarak, por kur të lirohesh, prap mund të rekrutohesh. Unë do të refuzoj të marrë pjesë sërish dhe mendoj se ky cikël do të vazhdojë ndoshta për gjashtë muaj”, tha ai.

Ai vuri në dukje se autoritetet izraelite nuk i kanë thënë se sa vite do të dënohej me burg, duke shtuar se do të rezistojë që të dërgohet në ushtri për aq kohë sa të mundet.

Duke iu referuar faktit se në Izrael ka një grup që është kundër masakrave, Moav tha: “Ka njerëz që qëndrojnë kundër këtyre masakrave të Izraelit për arsye të ndryshme, por është një situatë shumë fatkeqe, sepse numri ynë është i ulët”.

Ai bëri thirrje që shoqëria hebreje të refuzojë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në kundërshtim ndaj gjenocidit të kryer në Palestinë.

“Unë jam larg të qenit viktimë në këtë situatë. Do të mbaroj dënimin me burg dhe do t’i kthehem jetës sime të privilegjuar. Mendoj se nuk duhet bërë kjo gjë absolutisht. Nëse i bashkoheni ushtrisë izraelite tani, do të keni një njollë në jetën tuaj përgjithmonë. Do t’ju ndjekë përgjithmonë. Mendoj se e kam shprehur mendimin tim dhe do ta bëj në solidaritet me popullin palestinez. Unë do ta bëj këtë sepse nuk do të jem bashkëpunëtor në gjenocid”, u shpreh Moav.

 

- “Ndërgjegjja ime nuk ishte e qetë”

Duke deklaruar se ai dëshiron të solidarizohet me palestinezët, Moav tha: “Kjo është arsyeja pse unë besoj se nuk mund ta kisha ndërgjegjen e qetë për atë që po ndodh. Nuk po bëhet asgjë për gjenocidin, kundër gjenocidit. Unë dua që para së gjithash, të them se jam në solidaritet me vëllezërit e mi palestinezë”.

Sipas tij, ushtria izraelite synon të shkatërrojë popullin palestinez dhe mënyrën tyre të jetesës, ndërsa shprehu bindjen se qeveria izraelite dhe një pjesë e shoqërisë izraelite janë bashkëfajtorë në këtë “gjenocid”.

Moav theksoi se vrasja e dhjetëra mijëra njerëzve të pafajshëm në Gaza është e papranueshme, duke shtuar më tej:

“Vëllezërve dhe motrave të mia palestineze mund t’ua them këtë: Kjo është ajo që mund të bëj. Gjithashtu dua të them se ka njerëz që shohin dhimbjen dhe vuajtjen që po shkakton Izraeli tani dhe që nga koha e themelimit të tij. Ne jemi kundër kësaj dhe nuk shkojmë askund dhe kur të vijë dita, së bashku do të ndërtojmë dhe mundemi të ndërtojmë një shoqëri më të mirë”.

 

- Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Izrael

Në Izrael, përveç hebrenjve Haredi (hebrenjve ultra-ortodoksë), disa segmente laike të shoqërisë gjithashtu refuzojnë t’i bashkohen ushtrisë.

Ndërsa çështjet problematike si përjashtimi nga shërbimi ushtarak i hebrenjve Haredi dhe reforma në drejtësi janë shtyrë në vend për shkak të situatës aktuale që nga 7 tetori, këto çështje, të cilat janë fshehur përkohësisht për qëllime të unitetit shoqëror gjatë kohës së luftës, shihen si linja të brishta gabimesh në shoqëria izraelite.

Izraeli ka dërguar qindra mijëra ushtarë rezervistë në Gaza. Në fillim të shkurtit, ushtria njoftoi një plan për të rritur kohëzgjatjen e shërbimit për rekrutët dhe rezervistët. Ndërsa kohëzgjatja e shërbimit u shtua, lirimi i hebrenjve Haredi nga shërbimi ushtarak doli sërish në plan të parë.

Çështja e përjashtimit të meshkujve Haredi nga shërbimi ushtarak ishte prioriteti kryesor politik i partive Haredi. Megjithatë, pas 7 tetorit, solidariteti i shoqërisë izraelite me ushtrinë bëri që disa deputetë të ndryshojnë tonin.

Gjykata e Lartë nxori një vendim i cili nga 1 prilli, ngrinte fondet e qeverisë për Yeshivat (shkollat ​​fetare) që nuk i dërgojnë studentët e tyre në ushtri. Ky vendim, i dënuar nga drejtuesit Haredi, rriti shqetësimet për largimin e partive Haredi nga koalicioni.

Kështu, Yeshivat nuk do të marrin fonde për studentët që kualifikohen për shërbimin ushtarak. Kjo do të rezultojë që 1.257 Yeshiva të mos marrin fonde shtetërore dhe qindra të tjerë të vuajnë shkurtime të pjesshme.

Deri më sot, udhëheqësit Haredi kanë ruajtur mbështetjen e tyre për Netanyahun, sepse ata i besojnë angazhimit të tij për të mbrojtur mirëqenien e komunitetit të tyre duke e izoluar atë. Në këtë mënyrë, deri më sot, ata kanë vazhduar procesin e tyre mësimor të Tevratit dhe janë liruar nga shërbimi ushtarak./aa