Shtetet e Bashkuara i kërkuan sot Izraelit të kryejë një “hetim të shpejtë, të plotë dhe transparent” për vrasjen e aktivistes turko-amerikane Aysenur Ezgi Eygi në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe i bëri thirrje vendit që t’i bëjë publike gjetjet.
“Siç kemi kuptuar, partnerët tanë në Izrael po shqyrtojnë rrethanat e asaj që ndodhi dhe ne presim që ata t’i bëjnë publike gjetjet e tyre, dhe çfarëdo qofshin ato gjetje, presim që ato të jenë të plota dhe transparente”, u tha gazetarëve zëvendëszëdhënësi i Departamentit të Shtetit Vedant Patel.
Patel e përshkroi vdekjen shtetases amerikane si “zemërthyese”, “shqetësuese” dhe “tragjike”, por nuk e dënoi Izraelin, duke deklaruar se ajo që ndodhi në Bregun Perëndimor “është ende duke u përcaktuar dhe gjykuar”.
“Ne do ta lëmë atë proces të zhvillohet”, shtoi ai.
Aysenur Ezgi Eygi, 26 vjeçe, shtetase e dyfishtë amerikane dhe turke, u qëllua për vdekje nga forcat izraelite të premten gjatë një proteste kundër vendbanimeve të paligjshme izraelite në Beita, pranë Nablusit në Bregun Perëndimor.
Dëshmitarët raportuan se ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj demonstruesve kundër vendbanimeve të paligjshme në malin Sbeih në Beita, në jug të Nablusit. Ndonëse qëndronte larg zonës kryesore të protestës, ajo u qëllua për vdekje. Pavarësisht se u dërgua me urgjencë në spital, punonjësit mjekësorë nuk arritën ta shpëtonin.
Ushtria izraelite pranoi të shtënat, duke pretenduar se “u përgjigj me zjarr ndaj një nxitësi kryesor të aktivitetit të dhunshëm, i cili hodhi gurë mbi forcat dhe përbënte një kërcënim për ta”. Pretendimi i Izraelit është kundërshtuar nga dëshmitarët dhe Lëvizja Ndërkombëtare e Solidaritetit (ISM).
Eygi, e lindur në Antalya, Türkiye, në vitin 1998, u diplomua në qershor në Universitetin e Washingtonit, ku studioi psikologji si dhe gjuhë dhe kultura të Lindjes së Mesme.
Ajo mbërriti në Bregun Perëndimor javën e kaluar të martën për të dalë vullnetare me ISM-në si pjesë e një përpjekjeje për të mbështetur dhe mbrojtur fermerët palestinezë.
Familja e Eygit lëshoi një deklaratë duke i kërkuar administratës Biden një hetim të pavarur për vrasjen e saj.
I pyetur nga Anadolu nëse SHBA-ja e mbështet thirrjen e familjes për hetim, Patel u përgjigj: “Ne presim që Izraeli t’i bëjë publike gjetjet e tyre. Presim që këto gjetje të ndahen në mënyrë transparente dhe sa më të plotë dhe sa më shpejt të jetë e mundur”.
“Përtej kësaj, unë thjesht nuk do të shkoj përpara asaj që përcaktojnë këto gjetje dhe nëse ato kërkojnë ndonjë hap shtesë që duhet të ndërmerret”, shtoi ai./aa