Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Theth për të ndarë më shumë se 200 titujt e pronësisë së shtëpive në aty dhe në disa zona të tjera të Veriut.

“Siç u dhashë fjalën, në fund të muajit ne do të riktheheshim dhe ja ku jemi sot. Por jo thjeshtë për të biseduar, por për të shpërndarë titujt e pronësisë. Për të cilët nuk është se e nisëm punën atë ditë, por e vërteta është që një punë e nisur prej kohësh për zonat si zona juaj, tani është në hapat e fundit dhe hap pas hapi këtë që po bëjmë këtu, do ta bëjmë edhe në ato zona të tjera, qoftë në veri, qoftë në jug, siç është rasti i Himarës përshembull dhe mbase e keni parë që pardje ne ishim në Himarë, ku problematika e titujve të pronësisë ka qenë e ndryshme dhe është e ndryshme nga ajo në tërësi, pasi ndarja pronave do të bëhet me një formulë tjetër dhe pasi në shumë raste, sicc është rasti i Thethit, shtëpitë e trashëguara nuk ka qenë e mundur të marrin hipotekën si rezultat i shtrëngimeve të tjera të natyrës ligjore që ka zona”, tha Rama.

“Sot janë 200 tituj pronësie që janë këtu”, theksoi Rama teksa shtoi se, “ndërkohë janë dhe 90 tituj të tjerë. Për 40 prej tyre do të duhet që bashkia e Shkodrës të bëjë një ndryshim në studimin e zonës, që është një çështje e natyrës ligjore, por është jo e vështirë dhe besoj se Beneti do ta përfundojë brenda muajit shtatorit. Dhe për 50 tituj të tjerë është problematika e ndërtimit në pronën e tyre, por përtej aftit të lejuar nga ligji ekzistues për legalizimet”, tha Rama.

Natyrisht, shtoi kreu i qeverisë, “do të gjejmë një zgjidhje për këtë, një zgjidhje e dedikuar për të gjithë ata që janë në kushtet tuaja, ku pamundësia e marrjes së një lejeje ka qenë objektive”.

Rama shtoi se, “më në fund problematikat e trashëguara për titujt e pronësisë së shtëpive këtu dhe në disa zona të tjera të Veriut, që do të çlirojnë hap pas hapi potencialet e jashtëzakonshme të turizmit malor, që e ka kthyer Thethin në një burim ekonomie reale për banorët e vet”./ata