Shqipëria dhe Gjermania intensifikojnë më tej bashkëpunimin mes tyre.

Në një njoftim për shtyp, Ministria e Financave bën të ditur se bisedimet dy dypalëshe për Bashkëpunimin për Zhvillim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, që u zhvilluan pak ditë më parë në Berlin, u fokusuan në mbështetjen e Shqipërisë për negociatat me BE dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Sipas MF-së, zëvendësministrja e Financave, Vasilika Vjero, ishte pjesë e delegacionit shqiptar që përfaqësoi vendin tonë në këto bisedime, së bashku me drejtues të lartë të SASPAC, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, si dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Pala shqiptare prezantoi në këto bisedime fushat kryesore të bashkëpunimit dypalësh dhe prioritetet e qeverisë shqiptare.

Bisedimet u finalizuan me nënshkrimin e protokollit të ardhshëm dyvjeçar, 2024 – 2026, mes qeverive të dy vendeve.

Protokolli përfshin një sërë angazhimesh financiare, me fokus mbështetjen e vendit tonë sa i përket negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, si dhe mbështetjen për zhvillimin e qëndrueshëm dhe sektorët prioritarë./ata