Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se dialogu me Serbinë është në një qorrsokak nga i cili nuk ka shumë rrugëdalje. Sipas tij, pas aktit të agresionit të Serbisë në Banjskë të Zveçanit vitin e kaluar, është shkatërruar minimumi i mirëbesimit që kërkohet në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Ai akuzoi edhe bashkësinë ndërkombëtare që sipas tij po tregohen të njëanshëm në këtë proces.
Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se aleatët perëndimor duhet të jenë të përcaktuar se çka po dëshirojnë në dialog. Ai nënvizoi se Kosova është e gatshme për dialog, mirëpo vetëm nëse trajtohet nga BE-ja dhe aleatët si shtet i barabartë me Serbinë.
Kryeparlamentari po ashtu kërkoi nga perëndimorët që të marrin veprime në përputhje me të gjeturat pas aktit të agresionit të Serbisë më 24 shtator 2023 në Banjskë.
Duke folur për Procesin e Berlinit dhe kritikat e emisarit të Gjermanisë, Manuel Sarrazin ndaj Kosovës, ai tha se i njëjti nuk po tregohet objektiv dhe se s’ka pasur mirëkuptim për masat e sigurisë që Kosova i ka vendosur ndaj mallrave serbe.
Sipas tij, pavarësisht kritikave Kosova s’do t’i largojë masat e sigurisë ndaj mallrave serbe.
Në anën tjetër, Konjufca tha se me krerët institucional të Kosovës koordinohet sa i përket politikës së jashtme. Ai tha se ka dallime të vogla sa i përket qasjes që duhet përdorur, mirëpo assesi siç tha për nga përmbajtja./Kosovapress/