Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut dënoi sot thirrjen e ministrit të Jashtëm izraelit për të zhvendosur njerëzit nga Bregu Perëndimor i pushtuar, duke thënë se këto deklarata shërbejnë vetëm për të përshkallëzuar "situatën tashmë shumë të rëndë".
"Ne i dënojmë ashpër këto deklarata që janë bërë nga disa zyrtarë që mund të përbëjnë nxitje për të kryer shkelje të të drejtave të njeriut", tha zëdhënësja Ravina Shamdasani në një konferencë të OKB-së në Gjenevë në përgjigje të një pyetjeje nga Anadolu.
Të mërkurën, ministri i Jashtëm izraelit Israel Katz bëri thirrje për zbatimin e masave të stilit të Gazës në veri të Bregut Perëndimor, përfshirë evakuimin e përkohshëm të palestinezëve, në mes të një operacioni të madh ushtarak në zonë.
"Këto mund të shërbejnë vetëm për të përshkallëzuar situatën tashmë shumë të rëndë", tha Shamdasani. Ajo tha se Zyra e të drejtave të njeriut është "jashtëzakonisht e shqetësuar" për situatën "katastrofike".
Duke kujtuar "mosndëshkimin e gjatë" në Bregun Perëndimor për shkeljet që janë kryer kundër palestinezëve, ajo theksoi se ka pasur dhunë nga kolonët, dhunë nga forcat izraelite të sigurisë, qindra ndalime arbitrare të palestinezëve, por "shumë pak përgjegjësi".
"Kjo krijon një klimë mosndëshkimi", tha zyrtarja. "Pra, situata ishte tashmë shumë, shumë e paqëndrueshme dhe ajo që kemi parë ditët e fundit është një thellim real i kësaj situate, siç thamë, katastrofike", paralajmëroi ajo.
"Ne kemi parë bastisje, kemi parë vrasje. Kemi parë gjithashtu dëmtime në infrastrukturë, infrastrukturën thelbësore, duke përfshirë furnizimin me ujë të komuniteteve që banojnë atje", tha Shamdasani.
Ajo i bëri thirrje Izraelit të respektojë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar si fuqi pushtuese.
"Përdorimi i sulmeve ajrore dhe armëve dhe taktikave të tjera ushtarake nga forcat izraelite të sigurisë shkel normat dhe standardet e të drejtave të njeriut të zbatueshme për operacione të tilla të zbatimit të ligjit, dhe çdo vrasje e paligjshme duhet të hetohet tërësisht në mënyrë të pavarur dhe përgjegjësit duhet të japin llogari", tha ajo./aa