Është zbardhur dëshmia e Altin Morinës, shefit të stërvitjes tek reparti i RENEA-s, në makinën e së cilit policia gjeti 113 mijë euro, paund dhe lekë.

Morina ka thënë se paratë janë të ligjshme dhe janë tërhequr nga banka nga një mik. Ai ka deklaruar se nuk ka kryer asgjë të jashtëligjshme dhe se nuk është pjesë e ndonjë grupi kriminal.

“Paratë janë të ligjshme dhe vijnë nga një biznes. Janë tërhequr në bankë dhe i kam marrë për hallet e mia tek një mik. Nuk kam kryer asgjë të jashtëligjshme dhe nuk jam pjesë e asnjë grupi kriminal”, ka thënë Morina, shkruan TCH. Ai u vu në pranga mesditën e djeshme në zonën e Kodrës së Diellit pasi makinën “Audi” me të cilën po lëvizte e kishte shndërruar në një bankë lëvizëse.

Në sedilen e parë të pasagjerit ai  kishte fshehur të mbështjella me qese marketi rreth 113 mijë euro, lek dhe paund, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Policia ra në gjurmë të tij pas të dhënave të grumbulluara në rrugë operative ku u sinjalizuan se në makinën Audi po transportoheshin para me origjinë të dyshimtë.

Pas ndalimit të saj forcat shqiponja u përballën me kolegun e tyre që u detyruan ta vendosin në pranga për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Fshehja e të ardhurave”  dhe “Shpërdorimi i detyrës. Altin Morina dyshohet se ka lidhje edhe me Kreshnik Halilajn që u arrestua më herët për arsenal armësh dhe droge. Në këtë rast efektivi dyshohet se ka fshehur prova duke thënë se kokaina e gjetur në shtëpinë e Halilajt nuk ishte kokainë, por miell buke.

Ndër të tjera ka dyshime të forta se ka lidhje edhe me grupin e Ervis Martinajt. Para 8 ditësh është parë në praninë e një të afërmi të Martinajt ku e mbronte nga ndonjë atentat i mundshëm. Ky nuk është rasti i parë ku punonjës të policisë së shtetit shoqërohen me persona të inkriminuar. Kujtojmë këtu rastin e oficerit të operacionales Jeton Lami, i arrestuar për shpërdorim detyre, me akuzën se shoqëronte të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit të kaluar. Zyrtarisht policia thotë se polici i RENEA-s u arrestua për tre vepra penale: pastrim parash, fshehje të ardhurash dhe shpërdorim detyre.