Numri i spanjollëve që pushojnë në rajonin e Pyllin e Zi të Gjermanisë, duke shmangur Evropën Jugore dhe Mesdheun për shkak të nxehtësisë dhe zjarreve në pyje, është rritur me 50 për qind midis 2022 dhe 2023, tregojnë statistikat.
Të dhënat për këtë verë nuk janë ende të disponueshme, por pronarët e agjencive turistike presin që të shënohet sërish një rritje e numrit të turistëve.
Tre të katërtat e turistëve në Pyllin e Zi janë ende gjermanë, ndërsa numri i radhës i të ftuarve janë zviceranë dhe ka gjithnjë e më shumë turistë nga Spanja dhe vendet e tjera të Evropës Jugore.
Ndikimi i turistëve spanjollë është i dukshëm, pasi vendasit e quajnë një pjesë të plazhit në brigjet e liqenit Titisee “Barcelona e Vogël”, dhe kudo mund të dëgjosh turistë që flasin spanjisht.
Çmimi i dhomës dyshe më të lirë në bregdetin e Titisee është rreth 100 euro, ndërsa dhoma më e përballueshme me pamje nga liqeni është rreth 130 euro, shkruan Deutsche Welle.
Hoteleri Klaus-Guenther Wiesler vuri në dukje se turistët vazhdojnë të vijnë, pavarësisht rritjes së lehtë të çmimeve të akomodimit, por se ata tani kanë më shumë gjasa të zgjedhin për fjetje dhe mëngjes në vend të gjysmë-pensionit, i cili përfshin darkën.
Rritja e çmimeve është më e dukshme në restorantet e hoteleve, ku Wiesler pretendon se çmimet janë rritur me 12 për qind për shkak të inflacionit. “Në vend të një shishe verë, ata preferojnë të porosisin vetëm një gotë,” vuri në dukje ai.
Turistët spanjollë, megjithatë, pohojnë se një udhëtim në Pyllin e Zi ia vlen. “Ne ndihemi mirë këtu. Kultura gjermane dhe ajo spanjolle shkojnë krah për krah”, tha një turist spanjoll. /tesheshi.com/