Shtatzënia dhe mëmësia nuk mund të na ndalojnë në asgjë – të paktën kur gjithçka është në rregull dhe nuk ka vështirësi, domethënë kur nëna e ardhshme ndihet mirë. Dhe pastaj është ajo kategori e nënave veçanërisht këmbëngulëse…

Shtatzënia nuk është sëmundje dhe gjithçka që bëjmë normalisht, mund ta bëjmë gjatë shtatzënisë – për sa kohë që ndihemi mirë, për sa kohë që doktori na lejon ta bëjmë dhe për sa kohë që ai e miraton. Për disa kjo do të thotë se do të vazhdojnë të punojnë, për disa do të vazhdojnë të ushtrojnë dhe për disa do të shkojnë në Lojërat Paralimpike dhe do të fitojnë një medalje.

Britanikja Jodie Grinham bëri histori dhe fitorja e saj mori një rëndësi të veçantë. Konkretisht, ajo e fitoi një medalje të bronztë në gjuajtje me hark në muajin e shtatë të shtatzënisë! Epo, duhet të pranojmë se ky është një dimension krejtësisht i ri i “shtatzënësisë aktive”.

Pas fitores së medaljes, Jodie Grinham tha për The Guardian: “Fëmija nuk ndaloi së lëvizuri dhe gati me dukej sikur thoshte’çfarë po bën’? Ishte një kënaqësi që fëmija ishte aty dhe se kisha këtë flluskë të vogël në barkun tim për të më mbështetur”.

Në sportin e saj, gjuajtjen me hark, foshnja nuk është në rrezik në asnjë moment, por fëmija mund të rrezikonte fitoren e nënës. Në fakt, Grinham ishte më e shqetësuar se si fëmija i saj mund të ndikonte potencialisht në performancën e saj.

“Unë me të vërtetë kisha filluar të shqetësohesha se fëmija do të lëvizte kur të bëja tërhiqjen dhe se do të ndikonte në goditjen time, por trajneri im dhe unë kaluam shumë kohë duke bërë pak përgatitje gjatë shtatzënisë, në mënyrë që të mësohesha,” tha ajo.

Ajo shtoi se në mes dhe gjatë ndeshjeve të saj, ajo fliste me fëmijën e saj duke thënë gjëra të tilla si “mami të do, do të të përqafoj për një minutë”

Grinham bëri debutimin e saj në Lojërat Paralimpike të Rios 2016 dhe fitoi medaljen e argjendtë, por humbi Olimpiadën e Tokios për shkak të lëndimeve të marra nga një rënie. Duke shkuar në Lojërat Paralimpike të 2024-ës, Greenham tha se “shpresonte për një medalje” dhe do të “zhgënjehej” nëse nuk do ta arrinte.

Në fillim të javës në të cilën fitoi medaljen, Grinham duhej të vizitohej te mjeku sepse foshnja nuk lëvizte, por gjithçka doli të ishte mirë. Mjeku i kërkoi të pushonte sapo të përfundonte garën.

“Dua të jem nënë dhe sportiste”, tha Grinham. “Unë nuk jam e gatshme të sakrifikoj asgjë nga këto.”

 Kujtohet se Grinham lindi me dorën e majtë të shkurtuar, pa gishta dhe me vetëm gjysmën e gishtit të madh në atë dorë. /tesheshi.com/