Republikani Donald Trump dhe nënpresidentja demokrate Kamala Harris shtrënguan duart në fillim të debatit parazgjedhor në televizionin ABC. Pasi Joe Biden u largua nga gara presidenciale, Trump fillimisht tha se nuk do të merrte pjesë në këtë debat, por ndryshoi qwndrim.

Ishte paracaktuar që mikrofonat të mbylleshin kur fliste personi tjetër, të mos kishte audiencë në studio dhe të mos lejoheshin rekuizita apo shënime të shkruara paraprakisht.

Debati filloi me pyetje rreth ekonomisë, me Harris që theksoi se si ajo planifikon të ndërtojë një “ekonomi mundësish”. Ajo mori përsipër të zgjidhte kostot e strehimit dhe të ndihmonte familjet e reja. Ajo pretendoi se Trump planifikon të “bëjë atë që ka bërë më parë” dhe të japë “ulje taksash për miliarderët dhe korporatat”. Në përgjigje, Trump premtoi të vendosë tarifa ndaj vendeve të tjera.

“Donald Trump nuk ka një plan për ju. Ai është më i interesuar të mbrojë veten sesa të kujdeset për ju,” tha Harris dhe Trump u kundërpërgjigj se profesorët e ekonomisë mendojnë se plani i tij është “i shkëlqyer” dhe “i mirë”. I pyetur për pozicionin e tij për abortin, Trump filloi përgjigjen e tij duke pretenduar se demokratët duan të lejojnë abortin në muajin e nëntë të shtatzënisë. Demokratët janë “radikalë” për këtë çështje, tha ai. Ai gjithashtu deklaroi se sindihmoi në kthimin e çështjes në shtetet për një vendim. Përveç kësaj, ai thotë se beson në përjashtime në rastet e përdhunimeve dhe inçestit.

Harris vuri në dukje se Trump caktoi tre gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, të cilët hodhën poshtë të drejtën e vendit për të abortuar dy vjet më parë. Ajo thotë se më shumë shtete kanë kaluar “ndalimin e abortit të Trump që nuk bën përjashtime për përdhunimin dhe inçestin”.

Harris deklaron gjithashtu se Trump ka një tendencë për të folur për tema që nuk kanë të bëjnë fare me çështjet politike. “Është një gjë vërtet interesante për t’u parë,” thotë ajo, duke shtuar se ai flet për “personazhe imagjinarw si Hannibal Lecter”.

“Njerëzit fillojnë të largohen herët nga tubimet e tij për shkak të lodhjes dhe mërzisë,” tha ajo dhe Trump ia ktheu se askush nuk shkon as në mitingjet e saj. Ai iu referua gjithashtu pretendimit të pabazë se emigrantët hanin kafshë shtëpiake në Springfield: “Ata hanë qen. Ata hanë kafshët shtëpiake të njerëzve që jetojnë atje.”

Moderatori David Muir vuri në dukje se menaxheri i qytetit në Springfield thotë se nuk ka prova për këtë. Harris sulmoi Trumpin për dosjen e tij kriminale në përgjigje të pretendimeve të tij për “krime emigrantësh”.

Debati më pas u kthye në trazira më 6 janar 2021, kur një turmë e dhunshme e mbështetësve të Donald Trump sulmoi Kapitolin. “Nuk kisha asnjë lidhje me të, përveçse më kërkuan të mbaja një fjalim”, tha Trump, duke fajësuar demokraten Nancy Pelosi për mossigurimin e Kapitolit.

I pyetur për zgjedhjet e vitit 2020, Donald Trump këmbëngul se ai fitoi garën kundër Joe Biden. Në fjalët e tij, ai tha se kishte “aq shumë prova”. Kamala Harris tha se mohimi i vazhdueshëm i rezultateve të zgjedhjeve nga Trump tregon se ai mund të mos ketë “temperamentin” për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë. “Donald Trump u shkarkua nga 81 milionë njerëz”, shtoi ajo.

Trump u pyet se si do t’i jepte fund luftës në Gaza dhe do të kthente civilët e mbajtur peng nga Hamasi. Përgjigja filloi duke pretenduar se konflikti “nuk do të kishte filluar kurrë” nëse ai do të ishte ende president. “Ajo e urren Izraelin. Nëse bëhet presidente, besoj se Izraeli nuk do të ekzistojë për dy vjet,” tha Trump, duke shtuar se edhe lufta në Ukrainë do të përfundojë kur ai të rizgjidhet. Harris kundërshton se Trump po përpiqet të “ndajë dhe të shpërqendrojë nga realiteti”. “Dihet se ai i admiron diktatorët dhe dëshiron të jetë diktator”, tha ajo, duke shtuar se udhëheqësit ushtarakë e kanë përshkruar Trumpin si “turp”.

“Unë dua që lufta të ndalet”, u përgjigj Trump kur u pyet nëse donte që Ukraina të fitonte. Ai vazhdon duke folur për koston e luftës në Ukrainë për SHBA-në, duke argumentuar se Evropa po paguan shumë më pak se SHBA. Ai thotë se e njeh “shumë mirë” presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentin rus Vladimir Putin.

“Aleatët tanë të NATO-s janë aq mirënjohës që ti nuk je më president”, i tha Harris Trump. “Përndryshe, Putini do të ishte ulur në Kiev me sytë e ngulur nga pjesa tjetër e Evropës.” Trump më pas e quajti Harrisin “zëvendëspresidenten më të keqe në histori” dhe pretendon se ajo dështoi të parandalonte luftën duke negociuar përpara pushtimit.

Trump gjithashtu u përpoq t’u kujtonte votuesve se Harris është e lidhur me Biden. “Mos harroni këtë: ajo është Biden,” tha ai. Por nënpresidentja e mohoi një gjë të tillë, duke thënë se ajo nuk është Joe Biden dhe se po prezantohet si një kandidate që ofron “një brez të ri lidershipi për vendin tonë”.

“Ne jemi një komb që po dështon. Ne jemi një komb që është në rënie serioze. Ne jemi duke u tallur në të gjithë botën,” tha Trump, duke shtuar se ka të ngjarë të jetë Lufta e Tretë Botërore nëse Harris fiton zgjedhjet në nëntor. /tesheshi.com/