Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi ka pritur sot Presidentin e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit Polak (KRRIT), Maciej Swirski. Gjatë takimit u nënshkrua dhe një memorandum bashkëpunimi mes dy rregullatorëve.

Sipas njoftimit të AMA-s, Kryetarja Krasniqi gjatë takimit, ka shprehur vlerësimin për mundësitë e reja të bashkëpunimit që hapen sot mes dy rregullatorëve, atij shqiptar dhe polak.

“Kjo është e rëndësishme, sepse mendoj se vetëm kështu, ne mund të jemi të suksesshëm në punën tonë: duke ndarë idetë dhe planet tona për të përballuar sfidat e kohës, me të cilat po përballen aktualisht autoritetet që ne drejtojmë”, tha Krasniqi.

Gjatë takimit, kryetarja Krasniqi ka bërë një prezantim të shkurtër mbi punën e AMA-s dhe objektivat e arritura deri tani, siç janë miratimi i ndryshimeve ligjore dhe harmonizimi me Direktivën e BE-së 2018/1808, ose siç njihet ndryshe, Direktiva e ndryshuar për Shërbimet Mediatike Audiovizive, si dhe ndryshimet e mëtejshme të propozuara, që parashikojnë
përfshirjen e konceptit të Matjes së Audiencës ne ligj; luftën kundër piraterisë së të drejtave të transmetimit dhe vijimësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtar që punojnë në fushën e medias, në favor të përmirësimit të cilësisë së gazetarisë në median audiovizive dhe jo vetëm.

Krasniqi theksoi gjithashtu se Matja e Audiencës vazhdon të jetë një objektiv aktual, i rëndësishëm, i punës së AMA-s, si institucion nxitës, për një proces të domosdoshëm për rregullimin e mëtejshëm të tregut audioviziv. Siç edhe lufta kundër piraterisë, një fenomen i përhapur tashmë edhe online.

“AMA do të vazhdojë forcimin dhe zhvillimin më tej të bashkëpunimeve, tashmë të konsoliduara, me partnerë të ndryshëm, që punojnë në fushën e mediave, për realizimin e objektivave të përbashkët në luftën kundër gjuhës së urrejtjes, dezinformimit etj”, tha Krasniqi.

Gjithashtu presidenti i KRRIT, Swirski, pasi falënderoi për mikpritjen, theksoi sfidat kryesore ku është e përqendruar puna e rregullatorit polak, si dhe ka shprehur gatishmërinë për një bashkëpunim të gjatë dhe të vlefshëm për të dyja palët.

Në një prezantim të shkurtër të mënyrës së qeverisjes së institucionit që drejton,  Swirski u ndal në problematikat që sot shqetësojnë jo vetëm tregun mediatik polak, por gjithë opinionin mediatik ndërkombëtar.

Dezinformimi dhe bashkërendimi i punës mes autoriteteve rregullatore për të shmangur ndikimin keqdashës në përcjelljen e informacionit tek publiku, është theksuar nga Presidenti i KRRIT polake, si një nga objektivat kryesor të rregullatorit që ai drejton.

Më pas dy krerët e autoriteteve rregullatore nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit, i cili bazohet në katër shtylla të rëndësishme: matja e audiencës, edukimi mediatik, hulumtimi i opinionit publik dhe metodologjia e monitorimit të përmbajtjes audiovizive.

“Kemi nënshkruar një memorandum mirëkuptimi ndërmjet dy trupave rregullatore të Shqipërisë dhe Polonisë dhe shpresojmë të forcojmë urat e bashkëpunimit, pse jo edhe të shkëmbejmë me njëri-tjetrin eksperiencat më të mira në fushën rregullatore të medias audiovizive, tha Krasniqi.

“Kombi i madh i Shqipërisë meriton të vërtetën në media, po ashtu edhe Polonia. Kërcënimi më eminent dhe serioz për të vërtetën është propaganda dhe dezinformimi rus, dhe ne duhet të promovojmë Edukimin Mediatik. Memorandumi ynë i mirëkuptimit lidhet pikërisht me këtë, me Edukimin Mediatik dhe sigurisht që të shkëmbejmë edhe përvojat tona për monitorimin e medias”, u shpreh Swirski.

Memorandumi i Bashkëpunimit i hap rrugën kështu një bashkëpunimi të gjatë mes dy institucioneve, qoftë në përmirësimin e mëtejshëm të punës, edhe në shkëmbimin e eksperiencave mes tyre./ata