Sot pritet botimi në fletoren zyrtare të ligjit për Policinë e Shtetit.

Aplikimet janë për të gjithë ata që do të garojnë për drejtues qarku ose për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Risi për të këtë vit janë edhe aplikimet për gratë, vajzat në role drejtuese. Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha gjatë një takimi informal me gazetarët që mbulojnë kronikën e zezë.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha u ndal tek tre objektiva: Projekti Smart City, ndryshimi gjenrateve në polici nëpërmjet konkursit sipas ligjit të ri dhe Kompania Identitek dhe krijimi pasaportës dixhitale për shqiptarët.

Një tjetër risi pritet që drejtimi në qarqe apo komisariati t’i jepet edhe grave apo vajza të cilët përmbushin kriteret.

Komisioni i Posaçëm
Komisioni i Posaçëm i vlerësimit të kandidatëve do të përbëhet nga:
a) Një nga zëvendësministrat, i caktuar nga Ministri i Brendshëm, kryetar;
b) Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, anëtar;
c) Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, anëtar.
Vendimet për kualifikimin ose skualifikimin e aplikantëve merren me shumicën e votave, ndërsa vendimet për vlerësimin e kandidatëve merren individualisht nga çdo anëtar i Komisionit, sipas rregullave të përcaktuara në këtë udhëzim.
Kandidati për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit paraqet dokumente që provojnë se plotëson kushtet e parashikuara në nenin 56, të ligjit për Nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.
Kriteret
Kandidati dorëzon dokumente mbështetëse për secilin prej kushteve ligjore si më poshtë:
a) mban njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues;
b) të ketë shtetësi shqiptare;
c) të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së
prerë;
ç) të mos ketë marrë masat disiplinore të përcaktuara në shkronjat “c”, “ç” dhe “d” të pikës 1 të nenit 123 të ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, brenda 5 (pesë) vjetëve të fundit;
d) të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse .
dh) të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit.

Vlerësimi
1. Kandidatët që përmbushin kushtet e parashikuara në nenin 4, vlerësohen dhe renditen sipas kritereve në vijim:
a) aftësitë profesionale të kandidatit në fushën e rendit ose sigurisë, sipas parashikimeve të detajuara në nenin 6 të këtij udhëzimi;
b) integriteti moral i kandidatit, sipas parashikimeve të detajuara në nenin 7 të këtij udhëzimi;
c) aftësitë organizative dhe drejtuese, sipas parashikimeve të detajuara në nenin 8 të këtij udhëzimi;
ç) elementet plotësuese për vlerësim sipas parashikimeve të detajuara në nenin 9 të këtij udhëzimi.
2. Në rastet kur kandidatët kanë të njëjtën meritë, vlerësohet vjetërsia në ushtrimin e profesionit dhe përvoja profesionale.
Vlerësimi i aftësive profesionale të çdo kandidati bazohet në kriteret e mëposhtme:
a) kohëzgjatja dhe përshtatshmëria e përvojës në punë me pozicionin për të cilin konkurron;
b) rezultatet e vlerësimeve profesionale ose etike të kandidatëve në pozicionet e mëparshme, nëse ka, ose rezultatet e arritura gjatë përvojave të tyre të punës që lidhen me ushtrimin e funksioneve në fushën e rendit ose sigurisë;
c) rezultatet e arritura gjatë studimeve të larta dhe në kurse trajnimi të certifikuara në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë;
ç) rezultatet e arritura gjatë studimeve pasuniversitare në fushën e rendit ose sigurisë;
d) punime akademike, studime shkencore, shkrime dhe ligjërata profesionale, botime, pjesëmarrje në aktivitete shkencore (përveç atyre që kanë shërbyer për fitimin e gradës shkencore), pjesëmarrje në procesin e hartimit ose të konsultimit të legjislacionit dhe çdo angazhim tjetër profesional i kandidatit gjatë 5 viteve të fundit në fushën e rendit ose sigurisë.
Vlerësimi i integritetit moral
1. Vlerësimi i çdo kandidati në lidhje me integritetin moral bazohet në kriteret e mëposhtme:
a) reputacioni që kandidati gëzon në shoqëri dhe te kolegët, si rezultat i aktivitetit të tij profesional bazuar në cilësitë morale si ndershmëria, përpikëria në kryerjen e detyrave, drejtësia në marrjen e vendimeve dhe llogaridhënia;
b) reputacioni që kandidati gëzon në shoqëri dhe te kolegët, si rezultat i aktiviteteve të kryera gjatë kohës që nuk ushtron funksionin e tij bazuar në cilësitë morale si besueshmëria, paanshmëria, dinjiteti, veprimtaritë sociale ose kulturore.
2 Vlerësimi për integritetin moral bëhet përmes dokumenteve të dorëzuara nga kandidatët, dokumenteve të mbledhura nga Komisioni, të dhënave nga seancat dëgjimore, raportimeve në media, të dhënave publike ose burimeve të tjera të besueshme./BalkanWeb