Qeveria planifikon të emetojë gjithsej 68 miliardë lekë tituj të rinj qeveritarë gjatë tremujorit të katërt 2024. Konkretisht, emetimi më i lartë në tremujor pritet të realizohet në muajin tetor, me një vlerë prej 34 miliardë lekësh, ndërsa në nëntor dhe dhjetor do të emetohen përkatësisht 20 miliardë dhe14 miliardë lekë.

Pjesa më e madhe e emetimeve janë obligacione afatgjata. Për tremujorin e fundit të vitit janë parashikuar të realizohen 17 ankande në total, ku në tetor do zhvillohen 7 ankande, në nëntor 6 dhe në dhjetor vetëm 4 ankande.

Për më tepër, gjatë muajit të ardhshëm janë planifikuar 2 ankande riblerje, por këto janë të ndara nga ankandet e rregullta të emetimit të letrave me vlerë të qeverisë. Pra, gjithsej do të realizohen 19 ankande, të cilat kapin një vlerë totale prej 70 miliardë lekësh duke përfshirë ketu ankandet e blerjes, përveç atyre të emetimeve të reja të obligacioneve dhe bonove të thesarit.

Disa obligacione po rihapen, që do të thotë se obligacionet e emetuara më parë po shiten sërish, në vend që të emetohen plotësisht të reja. Rihapja e obligacioneve është një mënyrë që qeveria të mbledhë fonde shtesë pa barrën administrative të emetimeve të reja. Kjo gjithashtu i bën këto obligacione më likuide, pasi oferta shtesë mund të përmirësojë kushtet e tregtimit në tregun sekondar.

Deri në fund të shtatorit, numri i ankandeve të bonove të thesarit dhe obligacioneve pritet të arrijë në 19 që prej muajit qershor, duke siguruar në tregun e brendshëm një hua prej 74,6 miliardë lekësh. Gjatë këtij viti është parashikuar që borxhi publik do të merret në masën më të madhe në tregun e brendshëm, në formën e bonove të thesarit dhe obligacioneve. Referuar planit vjetor të huamarrjes, totali i emetimeve të këtij viti pritet të jetë rreth 378.64 miliardë lekë./Scan