Koreja e Veriut lëshoi ​​disa raketa balistike të cilat besohet se kanë rënë jashtë Zonës Ekskluzive Ekonomike të Japonisë në Detin e Japonisë, pa asnjë dëm të raportuar në avionë apo anije.

Agjencia japoneze e lajmeve "Kyodo News", duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes së Japonisë, njoftoi se raketat u lëshuan nga bregu perëndimor i Koresë së Veriut mëngjesin e djeshëm midis orës 7:10 dhe 7:14 sipas kohës lokale.

Të paktën dy raketa arritën distancë mbi 350 kilometra dhe një lartësi maksimale rreth 100 kilometra para se të binin nga bregu lindor i Gadishullit Korean. Tokioja i ka paraqitur një protestë të fuqishme Phenianit për testimin e raketave, që është i pari që nga 1 korriku.

Ministri japonez i Mbrojtjes, Minoru Kihara, i kritikoi lançimet si një "shkelje të qartë të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së" dhe i konsideroi ato "krejtësisht të papranueshme".

Ushtria e Koresë së Jugut gjithashtu konfirmoi se Koreja e Veriut lëshoi ​​raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi nga afër Phenianit drejt Detit të Japonisë, duke udhëtuar përafërsisht 360 kilometra.

Zyrtarë të lartë nga Japonia, SHBA-ja dhe Koreja e Veriut kanë dënuar lançimet dhe kanë riafirmuar bashkëpunimin trepalësh gjatë njl bisede telefonike, njoftoi Ministria e Jashtme japoneze.

Lançimet vijnë pasi lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, të hënën u zotua që të rrisë ndjeshëm arsenalin bërthamor të vendit. Raketat u lançuan pak përpara fillimit të fushatës zyrtare për zgjedhjet partiake në kuadër të partisë në pushtet në Japoni, Partia Liberal-Demokrate, ku duhet zgjedhur pasardhësi i kryeministrit Fumio Kishida./aa