Papa Françesku bëri apel për paqe të dielën ndërsa drejtoi meshën e Krishtlindjeve në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ndërkohë që lufta në Palestinë po vazhdon.

“Sonte, zemrat tona janë në Betlehem, ku Princi i Paqes është refuzuar edhe një herë nga logjika e kotë e luftës”, u tha ai rreth 6.500 besimtarëve, duke iu referuar Jezu Krishtit.

Në mesazhin e tij, kreu i Kishës Katolike u bëri thirrje gjithashtu njerëzve që të mos jenë të fiksuar pas suksesit të kësaj bote dhe “idhujtarisë së konsumerizmit”.

Në ditën e Krishtlindjes, papa do të udhëheqë lutjen tradicionale “Urbi et Orbi” (latinisht, “Për qytetin dhe për botën”).

Izraeli ka sulmuar Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i grupit palestinez Hamas më 7 tetor, duke vrarë të paktën 20.424 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur 54.036 të tjerë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.

Rreth 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë sipas shifrave zyrtare.

Sulmi izraelit e ka lënë Gazën në gërmadha, ku gjysma e banesave të territorit bregdetar janë dëmtuar ose shkatërruar dhe gati 2 milionë njerëz janë zhvendosur brenda enklavës me popullsi të dendur, ndërsa përballen me mungesë ushqimi dhe uji të pastër.