Shqipëria në 6 muajt e parë të këtij viti u vizitua nga 4.5 milionë turistë të huaj.
Shifrat u bënë të ditura nga Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale.
Rama tha se kemi hyrë në pikun e flukseve turistike, ndërsa theksoi se “disave që luftojnë me faktet dhe rrinë e shkruajnë se plazhet janë bosh, u them mos kini frikë të gëzoheni për Shqipërinë për inat të qeverisë”.
“4.5 milionë vizitorë të huaj erdhën në Shqipëri në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ose +34% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë kemi hyrë në pikun e flukseve turistike ku së bashku me operatorët privatë që çdo ditë prezantojnë ofertën shqiptare, por edhe me përgjegjësinë e jashtëzakonshme të ofrimit të cilësisë së shërbimit, si edhe me bashkitë e me gjithë institucionet publike jemi në koordinim për mbarëvajtjen e sezonit veror”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “ndërkohë disave që luftojnë me faktet dhe rrinë e shkruajnë se plazhet janë bosh, u them mos kini frikë të gëzoheni për Shqipërinë për inat të qeverisë, se Shqipëria është e të gjithëve qeveritë shkojnë e vijnë dhe kijeni parasysh se turistët janë në plazhe, në male, në qytete, në Tiranë dhe prej tyre fiton ekonomia e shqiptarëve, kudo ata shkelin”./ata