Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një prononcim për mediat në oborrin e Kuvendit u shpreh sot se sesioni i ri parlamentar ka nisur me një tjetër bashkëpunim të kooperativës Rama-Berisha.
Basha tha se prej më shumë se një viti demokratët euroatlantikë kanë depozituar në Kuvend disa projektligje si vetingu i politikanëve, heqja e imunitetit të deputetëve, mbështetje për SPAK, mbështetje për Kosovën, ndërsa asnjë prej tyre nuk është marrë parasysh dhe po mbahen në sirtaret e Kuvendit.
“Ligji për vetingun e politikanëve parashikon kontrollin e thelluar, të përvitshëm të pasurisë së çdo politikani të nivelit të lartë, bëhet fjalë për 140 deputetët, 61 kryetarët e bashkive, të gjithë anëtarët e kabinetit dhe kryeministrin, Presidentin dhe drejtuesit e institucioneve të rëndësishme Kushtetuese dhe të shtetit. Si dhe kontrollin e përvitshëm të pastërtisë të figurës, përfshirë këtu kontaktet e papërshtatshme, përfshirë këtu kontaktet me botën e krimit të organizuar. Në funksion të këtij propozimi, kemi hartuar po kështu një strukturë të fuqizuar të asaj që sot njihet si ILDKPI, në përputhje me praktikat më të mira anti-mafia të Europës”, u shpreh Basha.
Në të njëjtën kohë, sipas tij, ka depozituar edhe propozimin për heqjen e imunitetit të deputetëve.
“Ndonëse prej janarit ne kemi dërëzuar një propozim për ndihmë ushtarake vjetore të Republikës së Kosovës, të barabartë me vlerën e parave të shqiptarëve që kjo qeveri i shpenzon për oriendi, për luks dhe për shpenzime qeveritare të pafre dhe të pakontrolluara, prap se prap edhe ky propozim ndodhet i kyçur në sirtar”, tha Basha.
Megjithatë, tha Basha, “ne do vazhdojmë të insistojmë dhe të tregojmë me gisht autorët e këtij bllokimi”./ata