Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se autoritetet shqiptare nuk kanë miratuar asnjë autorizim specifik për eksport mbetjesh të rrezikshme për ngarkesën e dyshuar të nisur nga porti i Durrësit.

Në interpelancën e kërkuar nga Partia Demokratike për këtë çështje, Rama tha se “këto mallra nuk bëjnë pjesë në kategorizimet e parashikuara në kodin ndërkombëtar detar për mallrat e rrezikshme”.

“Prandaj normal si gjithmonë edhe aludimi për mosveprim të administratës portuale apo asaj detare, në rastin më të mirë është alogjik, ndërsa në rastin më të keq kemi të bëjmëme një aludim psikopatologjik i artikuluar fatkeqësisht jo nga institucionet apo organizatat ndërkombëtare, por nga të njëjtat burime ndotëse të Tiranës politike dhe mediatike”, tha ai.

Rama sqaroi se edhe sikur këto mallra të deklaruara të ishin të rrezikshme transporti i tyre në rrugë detare nuk është asesi i ndaluar as nga legjislacioni kombëtar, as nga ai ndërkombëtar.

“Përkundrazi, mbetjet teknologjike apo industriale transportohen rëndom në rrugë detare në të gjithë rruzullin tokësor duke ndjekur procedurat e tyre në anije dhe në porte, në zbatim të kodeve ndërkombëtare detare, të cilat janë të njëjtat edhe në portet shqiptare”, shtoi ai.

Rama tha se procedura e eksportit të mbetjeve, qofshin të rrezikshme apo qofshin të parrezikshme bazohet në dispozitat e ligjit të “Menaxhimit të integruar të mbetjeve”, të cilat janë në përputhje me kërkesat dhe parimet e Konventës së Bazelit për kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme, ku Shqipëria është anëtare qysh prej vitit 1999.

“Autorizimi që lëshohet për eksport të mbetjeve, qofshin ato të parrezikshme, apo të rrezikshme ka një afat maksimal 1-vjeçar. Në rast se kompania pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë, do të kryejë eksporte të tjera duhet të paraqesë një aplikim të ri pranë dikasterit përkatës, në këtë rast Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Ndjekja e çdo vije logjike pa e psikopatologjizuar linjën mendore të çon menjëherë në përfundimin se autoritet shqiptare nuk kanë miratuar në këtë rast asnjë autorizim specifik për eksport mbetjesh të rrezikshme për ngarkesën e dyshuar. Për rrjedhojë pretendimi i rrjedhur me diarenë e gojës së pangijshme që nuk paska pasur miratim nga Tajlanda dhe kontenierët e linjës prestigjoze ndërkombëtare qenkan nisur nga Shqipëria vjedhurazi pas berihait, është po aq i qëndrueshëm sa mund të jetë e qëndureshme shkarkesa likuide e asaj goje”, tha Rama.

Kryeministri sqaroi se “nuk ka si të ketë miratim nga Tajlanda për ngarkesën në fjalë, kur vetë Shqipëria nuk ka pasur çfarë autorizmi të japë”./ata