Drejtori i Muzeut Marubi, Luçjan Bedeni priti në një takim ambasadorin e Bashkimit Europian, në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Bedeni i prezantoi nga afër ekspozitën “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno”, si dhe e njohu me të rejat e programit të Ditëve Europiane të Trashëgimisë Kulturore që do të mbahen gjatë datave 23-29 shtator.

Në ekspozitën “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno”, që u hap më 20 gusht, u shfaqën imazhe të rralla dhe të papublikuara më parë, që sjellin në vëmendje historinë e artit pamor shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare, çka përbën një mundësi unike për të zbuluar ndikimin e fuqishëm të artistëve, si Arsen Idromeno dhe Pietro Marubbi, në kulturën tonë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për t’u vizituar në ambientet e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” deri më 10 nëntor./ata