Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka gati strategjinë mbi bazën e së cilës do të orientojë politikat sociale deri në vitin 2030.
Zëvendësministrja Denada Seferi tha sot, në një intervistë televizive, se ky dokument ka disa prioritete, por së pari, synon që të thyejë ciklin e varfërisë për familjet shqiptare.
“Parashikohet që më së fundmi të thyet cikli i varfërisë së atyre familjeve të varfra që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. Këtë do të mund ta bëjmë nëpërmjet disa drejtimeve kryesore”, tha Seferi.
E para, sipas saj, është investimi në kapitalin njerëzor të familjeve të varfra, duke investuar tek fëmijët, duke ndjekur politikat më të mira për ta, duke pasur akses jo vetëm në skemën e ndihmës ekonomike, por edhe duke i orientuar ata drejt edukimit, arsimit dhe të gjitha programeve të tjera aktive.
Strategjia e MSHMS mundëson ngritjen e disa programeve të kushtuara punësimit.
“Anëtarët që janë në moshë aktive pune, që janë familjarët e këtyre fëmijëve, do të orientohen në programet aktive të punësimit”, tha Seferi.
Zgjerimi i shërbimeve sociale, si dhe shtimi i shërbimeve të specializuara është po ashtu pjesë e kësaj strategjie.
Sipas Seferit, “shërbimet e specializuara do të jenë ato që do të japin një mundësi më shumë për familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, por edhe të familjeve që kanë persona me aftësi të kufizuara. Shërbimet inovative janë ato të cilat do të mundësojnë që anëtarët e familjeve në nevojë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe t’u mundësohet një shërbim i ri, siç janë shërbimet e lëvizshme, asistenca shtëpiake, kryesisht për të moshuarit apo dhe për personat me aftësi të kufizuara.”
Njësitë e lëvizshme do të jenë ato që do të ngrenë rrjetin e punonjësve socialë, që do të shkojnë në shtëpitë e personave që kanë nevojë. Ndërsa strategjia, parashikon edhe përfshirjen e të rinjve në mënyrë vullnetare./ata