Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, në një intervistë televizive u shpreh se regjistrimet në universitete kanë ecur me ritme të larta, ndërsa shtoi se ka patur një rritje interesi për degët prioritare.

Sipas tij, kuotat në degë si mjekësi, inxhinieri, arkitekturë apo teknologji informacioni (IT) janë ezauruar. Ndërkohë, mbeten ende kuota të lira në drejtësi dhe degë të tjera.

Ai konfirmoi se “15 300 maturantë janë regjistruar nga 19 mijë që kishin aplikuar.”

“Mjekësia u mbyll që në 4 ditët e para. Urbanistika, inxhinieria, arkitektura, stomatologjia dhe degët IT, ato që janë të kërkuara brenda dhe jashtë vendit, kanë pasur numër maksimal të regjistrimeve”, thotë Arjan Xhelaj, Drejtues i Rrjetit Akademik Shqiptar për “Klan Tv”.

Xhelaj theksoi se ka një interes të shtuar për degët që janë cilësuar si prioritet kombëtar. Sipas tij, këtë vit vihet re një interesim edhe nga të rinjtë me mesatare mbi 9. Sipas Xhelajt, për këtë ka ndikuar mbështetja financiare që qeveria jep për degët prioritare.

I pyetur për kuotat e lira, Xhelaj shtoi se në Fakultetin e Drejtësisë rezultojnë 118 kuota bosh në Universitetin e Tiranës për këtë program studimi, e ndjekur nga Gjeografia dhe Administrim Biznesi./ata