Autoritetet në shtetin Sinaloa në veriperëndim të Meksikës kanë njoftuar mbylljen e shkollave në katër komuna pas dhunës së fundit nga grupet kriminale.
Dhuna ka rezultuar në nëntë vdekje dhe deri në 14 zhdukje.
Mes dhunës që raportohet nga karteli Sinaloa, guvernatori i shtetit Sinaloa, Ruben Rocha Moya, njoftoi pezullimin e orëve të mësimit në të gjitha nivelet arsimore në Culiacan, Elota, Cosala dhe San Ignacio.
Nga 9 deri më 11 shtator, Prokuroria e Snaloas pranoi 16 kallëzime për vjedhje automjetesh, 14 rrëmbime dhe zhdukje, si dhe nëntë vrasje.
Qeveria federale zbuloi se dhuna në Sinaloa, një bastion historik i kartelit më të madh të vendit, është kthyer në një fushë betejë midis grupeve kriminale që luftojnë për pushtet pas kapjes së liderit Ismael Zambada.
“Ka konflikte midis dy grupeve dhe ne duhet të sigurohemi që popullata të mos preket dhe që ata të mos përballen me njëri-tjetrin. Siç e përmenda, është një çështje që lidhet me konfrontimin midis grupeve”, tha presidenti Andres Manuel Lopez Obrador.
Rocha gjithashtu njoftoi anulimin e festimeve të Ditës së Pavarësisë më 16 shtator, ku ishte planifikuar një ngjarje publike me muzikë në sheshin qendror të kryeqytetit Culiacan për të festuar 209 vjetorin e lirisë nga Spanja.
Lopez Obrador siguroi se do të ketë një dislokim të mjaftueshëm të forcave të armatosura në Sinaloa për të ruajtur paqen.
“Ushtria në koordinim me Marinën, Gardën Kombëtare dhe policinë e shtetit janë në gatishmëri. Dua t’u them njerëzve të Culiacanit dhe Sinaloas se ne kemi prani të mjaftueshme për të garantuar paqen dhe qetësinë”, tha ai./aa