Rreth 14 mijë libra shkollorë i janë shpërndarë nxënësve në diasporën shqiptare, ku numërohen rreth 20 mijë nxënës që frekuentojnë kurset e gjuhës shqipe në të gjithë botën, e të cilët mund të zgjedhin të përdorin edhe tekstin digjital krahas atij fizik.

Lajmi u bë i ditur nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili shprehu mirënjohje dhe falënderim për 719 mësuesit që japin mësim në këto kurse.

Në maj të këtij viti, me kujdesin e veçantë të Kryeministrit Edi Rama, u hap programi “Mësues për Greqinë”, me synimin për t’u shtrirë edhe në vende të tjera, ku jeton diaspora.

“Me propozimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, po ndiqen hapat ligjorë për rregullimin e procesit mësimor dhe përzgjedhjen e arsimtarëve në diasporë, në zbatim të marrëveshjeve dypalëshe ndërkombëtare dhe në përputhje me legjislacionin e vendit pritës të diasporës shqiptare”, tha Hasani./ata