Ministri i Financave, Petrit Malaj prezantoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huasë me Agjencinë Franceze për Zhvillim, për financimin e projektit “Për politika publike për të mbështetur aftësinë përtëritëse dhe zhvillimin e gjelbër të shqipërisë”.

Malaj bëri të ditur se përmes këtij p/ligji mundësohet financimi i një kredie në formën e mbështetjes buxhetore prej 120 milionë eurosh.

Objektivi i programit është mbështetja e përpjekjeve të qeverisë për forcimin e qëndrueshmërisë së sektorëve, kuadrit rregullator të tregut të energjisë si dhe rritjen e energjisë së rinovueshme dhe efikasitetin e energjisë.

Po ashtu, vuri në dukje ajo, synon mbrojtjen e mjedisit dhe minizimizim e ndryshimeve klimaterike. Ky program, sipas Malajt, ka 3 shtylla.

Shtylla e parë, theksoi ai, mbështet zgjerimin e bazës tatimore, forcimin e mekanizmave për zbutjen e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, përmirësimin e qëndueshmërisë së investimeve publike nga ndryshimet klimaterike dhe rritjen e efektivitetit të programeve të ndihmës sociale.

Shtylla e dytë, sipas Malajt, mbështet rritjen e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme dhe eficencën e energjisë në sektorin publik. Ndërsa shtylla e tretë mbështet legjislacionin e ri, për të minimizuar ndotjet e mjedisit si dhe rregulloret për të vendosur një mekanziëm monitorimi, raportimi dhe verifikimi për gazrat serë.

“Kjo kredi prej 120 milionë eurosh është në dy faza dhe në fazën e parë, pritet të disbursohen 60 milionë euro gjatë vitit 2024 dhe pjesa tjetër në 2025. Kredia është me terma të butë”, shtoi ai.

Ministri theksoi se viti 2024 ka shënuar përmirësime sa i përket menaxhimit të borxhit publik dhe realizimit të huamarrjes.

Sipas tij, treguesit e peshës së borxhit publik të jashtëm kanë shënuar rënie dhe për rrjedhojë kemi rënie të peshës së borxhit në valutë të huaj nga 45.6 % në 43.3 %.

“Ne synojmë uljen e mëtejshme edhe në periudhën afatmesme në linjë edhe me strategjinë afatmesme të menaxhimit të borxhit për ta mbajtur nën 50 % të borxhit të emetuar në valutë të huaj. Niveli i borxhit pritet të shkojë 14 miliardë euro në fund të vitit 2024 ose 58.2 % të PBB-së”, deklaroi ai./ata