Uniformat blu kanë arrestuar 8 persona të cilët ndihmonin emigrantët e paligjshëm të kalonin kufirin dhe krijonin dokumente të falsifikuara.

Në pranga janë vënë shtetasit:

H., 32 vjeç, banues në Tepelenë;
M. D., 40 vjeç, banues në Fier;
F. P., 56 vjeç, banues në Konispol;
M. H., 40 vjeç, banues në Tepelenë;
Y. Sh., 56 vjeç, banues në Gjirokastër;
A. S., 54 vjeç, banues në Gjirokastër;
⁠J. Ç., 51 vjeçe, banuese në Gjirokastër;
N. T., 52 vjeç, banues në Gjirokastër.

Laboratori i tyre, i ndodhur në Gjirokastër është sekuestruar nga uniformat blu, e në të janë gjendur një shumë e konsiderueshme parash, automjete dhe sende jo të ligjshme që shërbenin për të ushtruar veprimtarinë e tyre kriminale.

Arrestimi i 8 personave u bë përmes operacionit policor të koduar “No chance”, nga e cila më parë janë arrestuar në flagrancë dhe dy shtetas iranianë.

Të  arrestuarit akuzohen për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i formularëve, stampave dhe vulave” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm te personat që ushtrojnë funksione publike”.

Kujtojmë se më herët, AMP-ja zbatoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Kryekomisarin e Gjirokastrës, Agim Fejzo, i cili akuzohet se ka shpërdoruar detyrën e tij për të ndihmuar një grup kriminal të tillë si kjo që u godit tashmë, që ndihmonte në kalimin e kufirit të emigrantëve të paligjshëm dhe në falsifikimin e dokumenteve.

Nuk është ende e qartë nëse arrestimi i Fejzos është i lidhur me këtë grup kriminal nga i cili u vunë në pranga 8 shtetas.

 

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, operacioni policor i koduar “No chance”.

Vihen në pranga 8 shtetas, pjesë të grupit kriminal që ushtronte veprimtaritë kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjendet një laborator që shërbente për falsifikimin e dokumenteve. Sekuestrohen laboratori, një shumë e konsiderueshme parash, automjete dhe sende të tjera të kundërligjshme që shërbenin për ushtrimin e veprimtarisë kriminale.

Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë arrestuar në flagrancë edhe 2 shtetas iranianë.

Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, si rezultat i një hetimi 9-mujor të ndjekur me metoda speciale, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “No chance”.

Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 8 shtetas.

Masat e sigurisë janë caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i formularëve, stampave dhe vulave” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm te personat që ushtrojnë funksione pubklike”.

Është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:

A. H., 32 vjeç, banues në Tepelenë;
M. D., 40 vjeç, banues në Fier;
F. P., 56 vjeç, banues në Konispol;
M. H., 40 vjeç, banues në Tepelenë;
Y. Sh., 56 vjeç, banues në Gjirokastër;
A. S., 54 vjeç, banues në Gjirokastër;
⁠J. Ç., 51 vjeçe, banuese në Gjirokastër;
N. T., 52 vjeç, banues në Gjirokastër.

Këta shtetas dyshohet se gjatë viteve 2023 dhe 2024, kanë kryer veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të falsifikimit të dokumenteve, kundrejt fitimit./GazetaShqiptare