Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 2 vite burg të ish-avokatit të shtetit, Irgen Kërçuku, i akuzuar për korrupsion. Kërçuku akuzohet se kishte marrë një shumë prej 900 000 lekësh të reja nga Aleksandër Laho, për të mos marrë pjesë në një procesin gjyqësor për tjetërsimin 45 mijë m2 në Gjirin e Lalzit.

Ish-avokati e kishte apeluar vendimin e GJKKO-së, që e dënoi me 3 vite burg, por që nga gjykimi i shkurtuar dënimi iu ul në 2 vite. Apeli i Gjykatës së Posaçme e rrëzoi anikmimin e tij, duke lënë në fuq vendimin e GJKKO-së.

 

Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar), dhe Daniela Shirka (anëtare),  më datë 16.09.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 36 akti, datë 27.05.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit/të pandehurit I.K., kundër vendimit nr. 77, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

Deklarimin fajtor të të pandehurit K. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K.Penal (para ndryshimeve të ligjit Nr.43/2021) dhe dënimin e tij me 3 vite burgim. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehuritK. i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 vite burgim.

Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi, ku në përllogaritje të përfshihet edhe periudha e qëndrimit me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi” dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme. Në aplikim të nenit 35/1 të K.Penal të pandehurit I.K. i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.

Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim nga prokurori dhe i pandehuri në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit. Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 77, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

– Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit I.K.

/Dosja