Festivali i 7-të Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar Al Jazeera Balkans (AJB DOC) u hap me një ceremoni dhe shfaqje të filmit "Where Olive Trees Weep" (Aty ku ullinjtë qajnë), me regji të Zaya dhe Maurizi Benazzo.

Festivali AJB DOC u hap në Qendrën Kulturore Boshnjake në Sarajevë dhe do të zgjasë deri më 17 shtator.

"Where Olive Trees Weep" është një dokumentar prekës dhe pikëllues që ka të bëjë me rezistencën dhe luftën e palestinezëve që jetojnë nën pushtimin izraelit në Bregun Perëndimor. Në ceremoninë e hapjes dhe shfaqjes së filmit morën pjesë një numër i madh i të ftuarve nga jeta publike, kulturore dhe politike e Bosnjë e Hercegovinës (BeH), duke përfshirë edhe drejtorin e Al Jazeera Balkans, Tarik Gjoxhiq, regjisori i njohur boshnjak Ademir Kenoviq dhe shumë të tjerë.

Drejtori i festivalit AJB DOC, Ed’hem Foço, doli në skenë i veshur me një bluzë me flamurin palestinez dhe mesazhin “Free Palestine”. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Foço kujtoi se si e nisën këtë festival me ambicie të vogla, por i njëjti u rrit përtej pritshmërive dhe mundësive të tyre.

“Vitin e kaluar festivali ynë ishte në shtator, gjenocidi në Palestinë filloi në tetor. Prisnim disi me padurim që festivalet e mëdha botërore ta vendosnin atë në fokus. Asgjë nuk ndodhi dhe ishte vërtet një problem për ne. Vendet ku organizohen këto festivale dhe ata personalitete të mëdha, njihen për faktin se u pëlqen të promovojnë se si dhe çfarë duhet bërë. Në këtë rast ata ishin të heshtur. Ishte vërtet një heshtje e dhimbshme”, tha Foço, duke sqaruar se motoja e festivalit të sivjetmë është “Drejtësia?”, përkatësisht “çfarë drejtësie është kjo dhe për çfarë drejtësie po flisni?”.

“Shpresoj që populli të përgjigjet, populli i Sarajevës, ata janë gjithmonë në anën e drejtësisë dhe populli i Sarajevës vërtet ka lënë përshtypje të mirë edhe për këtë çështje. Sigurisht, dua të besoj se e njëjta vlen për rajonin më të gjerë, edhe Bosnja dhe Hercegovina, edhe i gjithë rajoni ynë. Ne si një festival i vogël të paktën do të ofrojmë atë që mundemi, kontributin më të vogël, të kthejmë Palestinën në fokus. Mendoj se aty e ka vendin”, shtoi Foço.

Drejtori i kanalit të filmave dokumentar pranë Al Jazeera-s, Ahmed Mahfouz, kujtoi se ky vit ishte i vështirë për shkak të gjithçkaje që po ndodh në Gaza.

“Ndjejmë se jemi këtu këtë vit për të ngritur zërin përmes sallës së kinemasë në mënyrë që e gjithë bota të na dëgjojë. Kinematografia, filmat, ky është zëri ynë, kjo është ajo që ne mund të paraqesim dhe çfarë mund të bëjmë për miqtë dhe kolegët tanë në Gaza, si dhe për viktimat në Gaza. Kështu që jam shumë i lumtur që jam këtu këtë vit dhe uroj sukses të plotë për të gjithë pjesëmarrësit në festival dhe në Al Jazeera Documentary Industrial Days. Është kënaqësi të jem këtu në Sarajevë dhe në këtë festival të filmit”, tha Mahfouz.

Një nga përzgjedhësit e AJB DOC, Sead Kreshevljakoviq, theksoi se këtë vit kanë përzgjedhjen më të fuqishme të filmave në festival deri më tani.

Ashira Darvish: Fëmijët palestinezë nuk mund të vuajnë kaq shumë edhe më tej

Gazetarja dhe producentja palestineze Ashira Darwish është një nga protagonistet e filmit me të cilin u hapi AJB DOC. Ajo theksoi se është shumë e lumtur që ndodhet në Sarajevë, “në një qytet, banorët e të cilit e kanë përjetuar dhe e dinë se çfarë do të thotë të jesh nën rrethim, çfarë do të thotë të jesh i uritur, çfarë do të thotë të jesh nën gjenocid”.

“Është shumë e rëndësishme që Al Jazeera Balkans të përcjell mesazhin këtu dhe të tregojë se çfarë po ndodh në Palestinë”, tha Darvish, duke shtuar se filmi "Where Olive Trees Weep" tenton të tregojë se çfarë po ndodh në Palestinë.

“Prandaj, është shumë e rëndësishme të vini këtu sot dhe të flasim për atë që po ndodh në Gaza, atë që po ndodh me popullin palestinez dhe të bëjmë thirrje për drejtësi dhe t'i jepet fund këtij gjenocidi, t'i jepet fund kësaj çmendurie që po i ndodh popullit tonë. Mendoj se filmi është një mënyrë shumë e bukur që njerëzit të shfaqen dhe të lidhen me realitetin e jetës dhe me njerëz realë që vuajnë nga vende të ndryshme. E di që ka edhe disa filma të bukur këtu për atë që ndodhi në Sarajevë dhe disa vende të tjera anembanë botës. Është një mundësi e shkëlqyer për të prekur, për të ndjerë se çfarë po ndodh me njerëzit në mbarë botën dhe të lidheni me ta. Nëpërmjet kësaj, shpresojmë të frymëzojmë njerëzit që të ndërmarrin veprime. Ajo që na duhet është që njerëzit të ndërmarrin veprime për t'i dhënë fund këtij gjenocidi në Palestinë dhe që drejtësia të vendoset për të gjithë dhe të ndalojë gjakderdhja për popullin palestinez, sepse mjaft ishte. Kjo që po ndodh me ne është e mjaftueshme dhe fëmijët palestinezë nuk mund të vuajnë kaq shumë edhe më tej”, përfundoi Darvish.

Myriam Francois, gazetare dhe producente e filmave dokumentare, e cila është edhe anëtare e jurisë së festivalit të sivjetmë, tha se është e kënaqur që është pjesë e festivalit.

“Veçanërisht sepse tema e festivalit është ‘Drejtësia?’ dhe nuk ka qenë kurrë më urgjente që producentët e filmave, artistët në përgjithësi, të përqendrojnë vëmendjen e tyre në temën e drejtësisë dhe mënyrat se si mund ta përcjellim tek shikuesit përmes asaj që ne bëjmë më së miri, përmes artit tonë. Kështu që jam shumë e emocionuar të shoh se çfarë ka për të ofruar formati i sivjetmë i producentëve të filmave”, tha ajo.

Në ditët sa vijon festival, publiku ka mundësinë të shikojë 23 dokumentarë të tjerë të cilësisë së lartë që tregojnë histori për padrejtësitë me të cilat përballen palestinezët në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, si dhe çështje të tjera aktuale sociale.

Sipas drejtorit të Festivalit të Filmit AJB DOC Ed’hem Foço, tema e festivalit “Drejtësia?” u imponua vetvetiu pasi padrejtësia dhe kërkimi i drejtësisë përshkon të gjithë filmat që do të shfaqen në pesë përzgjedhjet: Konkurruese, AJB Shows, Last Minute Cinema, Smart DOC dhe Projeksionet Speciale,

Filmat do të shfaqen edhe në kinemanë Cineplexx Sarajevo, ndërsa programi dhe orari i shfaqjeve janë në dispozicion në faqen zyrtare të festivalit.

Në përzgjedhjen zyrtare konkuruese të Festivalit AJB DOC do të shfaqen 11 dokumentarë të destinuar për transmetim televiziv, që është parakushti më i rëndësishëm për këtë përzgjedhje.

Vendimi për filmin më të mirë do të merret nga një juri ndërkombëtare prej pesë anëtarësh e përbërë nga: Deborah London-Harrington, producente e dokumentarëve; Namik Kabil, regjisor dhe shkrimtar; Mila Turajliq, producente e dokumentarëve; Francesco Montagner, producent i dokumentarëve dhe Myriam Francois, gazetare dhe producente.

Nga pothuajse 300 filma të regjistruar, 24 filma do të shfaqen në programin e sivjetmë të AJB DOC, nga të cilët nëntë janë premiera botërore, 11 premiera rajonale dhe tre nga BeH.

Nesër shfaqjet filmit "Dëshmi", prodhuar nga Anadolu

Nesër në Cineplexx Sarajevo do të shfaqet filmi dokumentar “Dëshmi” i prodhuar nga Anadolu Agency, i cili heton krimet e luftës të kryera nga Izraeli ndaj popullatës palestineze pas sulmit të 7 tetorit. Fokusi i filmit është përdorimi i fosforit të bardhë nga Izraeli, një armë e ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar. Filmi bën bashkë një ekip ekspertësh të të drejtave të njeriut, duke përfshirë ish-drejtorin ekzekutiv të “Human Rights Watch”, Kenneth Roth; Raportuesin Special të OKB-së për Territoret e Pushtuara Palestineze, Francesca Albanese; si dhe ekspertin ndërkombëtar penal dhe humanitar, Toby Cadman.

Anadolu Agency gjithashtu është partneri global i komunikimit i AJB DOC./aa