Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Serbia do të “kthejë prapa të gjithë atë që është arritur” në procesin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, duke prezantuar më tej masat që Serbia do të ndërmerr në lidhje me situatën në Kosovë.
Në konferencën për media të mbajtur në Beograd, Vuçiq u shpreh se Kosova është “pika më e dhimbshme për serbët” dhe prezantoi masat që do të ndërmarrin autoritetet serbe në lidhje me Kosovën.
Ai akuzoi autoritetet kosovare se nuk i janë përmbajtur Marrëveshjes së Brukselit, përkundër garancisë nga Bashkimit Evropian.
Vuçiq më pas prezantoi masat e Serbisë, që janë kthimi në “status quo ante”, shpalljen e Kosovës si zonë e mbrojtjes së veçantë sociale, rezistencën e institucioneve serbe në Kosovë, krijimin e një prokurorie speciale, vendimi për paligjshmërinë e të gjitha organeve dhe institucioneve të themeluara në territorin e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë dhe anulimin e të gjitha akteve që janë miratuar ose do të miratohen nga institucionet kosovare.
Ai gjithashtu kërkoi tërheqjen e forcave speciale të policisë së Kosovës nga “bazat dhe postblloqet e ndërtuara ilegalisht” në veri të Kosovës, duke shtuar se Beogradi kërkon gjithashtu formimin "urgjent, të menjëhershëm dhe përfundimtar" të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe "pa lojëra të mëtejshme politike".
Vuçiq paralajmëroi miratimin e disa ligjeve në Kuvendin e Serbisë, përfshirë shpalljen e “Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë” si zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, që sipas tij do të garantojë të drejtën e mbështetjes financiare për të papunët; ligjin për riorganizimin e juridiksionit të autoriteteve gjyqësore të Republikës së Serbisë për zonën e "Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë" dhe formimin e një prokurorie speciale.
Duke folur për rezistencën e institucioneve serbe në Kosovë, Vuçiq u shpreh se kjo pikë synon të pengojë “Prishtinën në arritjen e qëllimit të saj kryesor politik për dëbimin dhe eliminimin e plotë të institucioneve të Serbisë dhe serbëve në Kosovë”.
Së fundmi, zyrtarët serbë kanë akuzuar autoritetet e Kosovës, në krye me kryeministrin Albin Kurti, për “sulme ndaj serbëve” në katër komunat në veri.
Përshkallëzimi i ri i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ndodhi pasi autoritetet e Kosovës mbyllën institucionet paralele serbe në veri, të cilat i konsiderojnë jokushtetuese dhe të paligjshme. Beogradi i quajti këto veprime "akte kriminale" që synojnë "persekutimin e serbëve"./aa