Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç për Kosovën.
Në një adresim para kombit, më 13 shtator, Vuçiç ka thënë se Serbia beson që përmbushja e kërkesave përbën “parakusht të domosdoshëm për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kërkojmë të kthehemi te gjithçka që është arritur dhe përparuar në procesin e dialogut”.
Ai ka paralajmëruar se Beogradi do të nisë një “fushatë diplomatike globale”, në mënyrë që të plotësohen këto kërkesa.
Sipas një dokumenti që u është shpërndarë mediave para adresimit të Vuçiçit, Parlamenti serb do të miratojë një vendim për “paligjshmërinë” e të gjitha institucioneve të themeluara në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë.
Vuçiç ka thënë të premten se nuk ekziston asnjë zgjidhje e kënaqshme për serbët për, siç ka thënë ai, “problemin e Kosovës dhe Metohisë”.
“Nuk ekziston ai mrekullibërës që mund t’u sjellë serbëve një zgjidhje të mirë për Kosovën dhe Metohinë. E pranoj. Edhe pse jam presidenti që ka zhvilluar më së shumti bisedime”, ka thënë Vuçiç në një fjalim drejtuar popullit, të paralajmëruar ditë më parë.
Sipas dokumentit, Serbia kërkon:
-
- shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.
- kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore.
- tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga “bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme” në veriun e Kosovës.
- tërheqjen e Policisë nga të gjitha institucionet “të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët”.
- formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe
- zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë” të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe
- kryerjen e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbë, dinarë.
Masa tjera të paralajmëruara të Serbisë
Duke prezantuar masat politike të Serbisë, Vuçiç ka thënë se në ditët e fundit ka pasur dilema nëse Serbia duhet të marrë ndonjë veprim sa i përket pushtimit të një pjese të territorit.
“Nuk kemi marrë vendim për pushtimin. Ekspertët tanë ligjorë kanë qenë kundër”, ka thënë ai.
Sipas Vuçiçit, masat e prezantuara prej Beogradit janë përpiluar në koordinim me përfaqësuesit e serbëve prej Kosovës dhe Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Ai ka thënë se këto masa “nuk do të zgjasin përjetësisht”, mirëpo vetëm derisa të respektohet ajo që është arritur në Bruksel.
“Po mbushim vakumin ligjor”.
Vuçiç ka thënë se Kuvendi i Serbisë do të miratojë një ligj brenda 45 ditëve për të “shpallur krahinën autonome të Kosovës dhe Metohisë si një zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, duke garantuar kështu të drejtën për mbështetje financiare për të papunët”.
“Ne do të rrisim ndihmën dhe mbështetjen tonë për popullsinë në mënyrë dramatike. Tani, do të ndajmë menjëherë për një grup prej 5.000 personash të papunë një mbështetje mujore prej 20 mijë dinarësh (170 eurosh)… çdo dinar do ta marrin vetëm ata që jetojnë në Kosovë”, ka thënë presidenti serb para kombit.
Mes tjerash, në dokumentin që u është shpërndarë mediave përmendet që “institucionet serbe” në Kosovë “nuk do të shfuqizohen apo mbyllen” dhe akuzohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se “qëllimi i tij kryesor politik është të largojë dhe të eliminojë plotësisht serbët” në Kosovë.
Aty, gjithashtu, është paralajmëruar që në Rudnicë dhe Ribar pranë kufirit me Kosovën, do të hapen zyra ku serbët e veriut të Kosovës do të kenë qasje në shërbimet e mbrojtjes sociale dhe që ato do të ofrojnë shërbime vitale shtetërore dhe administrative për qytetarët.
Një tjetër pikë në dokument përmend miratimin e një ligji për të krijuar një Prokurori të veçantë “për ndjekjen e abuzimeve dhe shkeljeve të të drejtave themelore të njeriut, uzurpimin e pronës dhe rrezikimin e integritetit trupor” të qytetarëve të Serbisë në Kosovë.
“Për ne sulmi në Banjskë nuk është terrorizëm”
Përgjatë adresimit, ai është pyetur nga gazetarët edhe për aktakuzën e autoriteteve të Kosovës për sulmin e vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.
Në atë sulm të kryer nga një grup i armatosur serb, është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë. Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist, ndërsa liderët shtetërorë akuzojnë shtetin e Serbisë për organizim të sulmit. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe.
“Organet tona, që kanë të bëjnë me Banjskën, po zhvillojnë hetimet e tyre. Kjo për ne, sigurisht, nuk është terrorizëm… por nuk dua të zgjerohem më tej dhe të shpjegoj përsëri se kush është fajtor për këtë dhe kush e solli këtë gjendje”, ka thënë Vuçiç.
A e tërhoqi Serbia letrën e Bërnabiçit?
Ndërkohë, Vuçiç është pyetur edhe nëse Serbia e ka tërhequr një letër të nisur në Bruksel nga ish-kryeministrja, Ana Bërnabiq, në të cilën e ka shprehur dilemën e Beogradit rreth zbatimit të marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.
I dërguari evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, ka thënë ditë më parë se Serbia e ka tërhequr atë letër. Vuçiç, as nuk e ka pohuar, dhe as mohuar një gjë të tillë.
“Nuk kam idenë për çfarë letre bëhet fjalë. Për marrëveshjen e Ohrit nuk kemi problem, vetëm dy gjëra: Kombet e Bashkuara dhe organizatat nën OKB”.
Palët patën arritur pajtueshmëri për normalizim marrëdhëniesh në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, një muaj më vonë. Megjithatë, palët nuk kanë bërë hapa drejt zbatimit të këtyre marrëveshjeve.
Marrëveshja e Ohrit, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Çfarë i parapriu adresimit të Vuçiçit?
Adresimi i Vuçiçit vjen pas akuzave që ua ka bërë në vazhdimësi autoriteteve të Kosovës për “sulme ndaj serbëve” në veri të vendit, duke marrë shkas vendimet e fundit në atë pjesë.
Qeveria e Kosovës vlerëson se me veprimet e veta vetëm po synon të shtrijë sovranitetin në gjithë territorin e shtetit.
Autoritetet kosovare kanë mbyllur së fundmi disa institucioneve paralele serbe në veri, duke thënë se kanë cenuar kushtetutshmërinë e Kosovës, më pas disa degë të Bankës së Serbisë, me arsyetimin se kanë vepruar pa leje, dhe ka ndaluar dinarin serb për kryerje të pagesave me para të gatshme.
Beogradi i sheh këto veprime si “akte kriminale” që synojnë “dëbimin e serbëve”.
Faktori ndërkombëtar e ka kritikuar Kosovën për ato që i ka konsideruar veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara në veri të vendit.
Kosova dhe Serbia dialogojnë prej vitit 2011 në Bruksel, nën ndërmjetësim të BE-së, kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.
Kurti: Vuçiç në koordinim me Rusinë po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja ndaj Kosovës
Pak para adresimit të Vuçiçit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia, në vend që të pendohet për krimet që ka kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë, ajo ka vendosur të përsërisë kërcënime dhe ultimatume ndaj Kosovës, në koordinim me Rusinë.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se qasja e pushtetit në Serbi ndaj Kosovë është “tejet dëshpëruese”, por që Kosova nuk trembet nga kërcënimet.
“Krimet makabre që Serbia para 25 vjetëve i kreu në Kosovë, sot po përsëriten nga Rusia në Ukrainë dhe po synohen që të kthehen prapë në rajonin e Ballkanit”, ka thënë mes tjerash Kurti.
Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800.000, ndërsa janë zhdukur rreth 6.000, prej të cilëve mbi 1.600 janë ende të pagjetur.
Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi. /REL/