Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka deklaruar se rijetëzimi i Industrisë Ushtarake tashmë është futur në shinat konkrete të zbatimit të projektit që Ministria e Mbrojtjes ka për objektet ekzistuese.
“Në zbatim te Aktit Normativ ka nisur puna për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të uzinave ushtarake, të krijuara për periudhën 2010-2024; Për Kombinatin Mekanik Poliçan do të zbatohet shuma prej 213,000.000 lekë; Uzina e Lendeve Plasëse Mjekës,50,000,000 lekë si dhe për Uzinën Mekanike Gramsh 27,000,000 lekë”, thekson Vengu në një postim në rrjetet sociale.
Ministri nënvizon se në këtë proces është parashikuar me prioritet shlyerja e detyrimeve për pagat e punonjësve dhe pagesat për kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore në masën 100%.
Ai bën me dije se në listë janë edhe detyrimet për pagesat e faturave për konsumin e energjisë elektrike, ndërsa detyrimet për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe detyrimet përmbarimore janë gjithashtu të përfshira në listën e detyrimeve që do të shlyhen në mënyrë që këto tre objekte të shkarkohen nga gjithë barra e pengesës së të shkuarës dhe për të parë nga e ardhmja.
“Shlyerja e detyrimeve ndaj tre uzinave ushtarake hap një kapitull të ri për rajonet ku ndodhen këto objekte pasi ky është vetëm hapi i parë i objektivit për të rigjeneruar ekonominë lokale, ndërsa entet rajonale përfitojnë gjithashtu të ardhura që koha i kishte “ngrirë” prej rreth 14 vitesh”, përfundon ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu./ata