Shefja e diplomacisë së Kosovës Donika Gërvalla ka reaguar pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç doli me shtatë kërkesa për Kosovën.
Gërvalla ka deklaruar se Vuçiç më mirë është të përmbushë zotimet e dialogut, sesa të vazhdojë t’i përsërisë këto kërkesa.
“Të vjetra bre, gjithë ky diskutim, gjithë ky film për disa kërkesa që i ka përsëritur në vazhdueshmëri dhe e ka parë që nuk kanë funksionuar. Vuçiç më mirë është t’iu shpjegojë qytetarëve të tij që dëshiron të përparojë, zotimet që i merr ai në procesin e dialogut, duhet t’i përmbushë”, tha Gërvalla për Klan Kosovën.
Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç për Kosovën. /KosovaPress/