Kryetari i parlamentit të Türkiyes, Numan Kurtulmuş, vizitoi sot familjen e aktivistes së vrarë turko-amerikane Aysenur Ezgi Eygi për të shprehur ngushëllimet e tij për humbjen e tyre.

“Ashtu sikurse gjaku i çdo palestinezi të rënë dëshmor është i shenjtë, edhe gjaku i Ayşenur Eygit është po aq i shenjtë. Ne do ta ndjekim rastin e saj deri në fund”, i tha Kurtulmuş familjes së saj, të afërmve dhe miqve të saj.

Familja e Eygit, e cila jeton në qytetin bregdetar Didim, Türkiye, po vajton vajzën e tyre, e cila u qëllua dhe u vra nga forcat izraelite më 6 shtator, ndërsa po protestonte kundër vendbanimeve të paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor.

Eygi, 26 vjeçe, kishte udhëtuar në rajon për të mbështetur rezistencën palestineze kundër pushtimit izraelit, sipas raporteve nga Lëvizja Ndërkombëtare e Solidaritetit.

Më 3 shtator, Eygi shkoi për të marrë pjesë në një protestë në qytezën Beita në Nablus, në Bregun Perëndimor, për të dalë kundër vendbanimeve të paligjshme izraelite atje.

Lëvizja raportoi se më 6 shtator, Eygi u shënjestrua dhe u vra qëllimisht nga një snajper izraelit që qëndronte në një çati aty pranë.

Dëshmitarët okularë thanë se Eygi ishte larg zonës së protestës kur u qëllua nga snajperi. Ajo u dërgua në një spital palestinez, por nuk mundi të shpëtohej me gjithë përpjekjet më të mira të mjekëve.

Eygi, e lindur në qytetin mesdhetar turk të Antalyas në vitin 1998, ndoqi stduimet në psikologji dhe gjuhë dhe kultura të Lindjes së Mesme në Universitetin e Washingtonit në Seattle.

Ajo ishte diplomuar pikërisht këtë qershor dhe ishte e njohur për angazhimin e saj ndaj aktivizmit dhe shërbimit ndaj komunitetit./aa