Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar sërish që masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, që janë arsyetuar me “mungesën e hapave të vendosur për të shtensionuar situatën në veri” të hiqen, raporton Gazeta Sinjali.
Në një intervistë për “Politico”, gjatë qëndrimit të tij në Davos për Forumin Ekonomik Botëror, Kurti e akuzoi Brukselin për qasjen ndaj Serbisë.
“Ne u kritikuam për dhunë në veri gjatë vitit të kaluar – padrejtësisht – dhe BE-ja vendosi masa ndaj Kosovës. Në anën tjetër, Serbia po radhitet me Rusinë sa i përket agresionit në Ukrainë, dhe nuk ka sanksione për Serbinë.” – ka thënë ai.
“Politico” po ashtu shkruan se muajin e kaluar, mbi 10 vende evropiane i kanë kërkuar shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell të heqë kufizimet politike dhe ekonomike ndaj Kosovës, duke vënë në dukje gjithashtu rolin që Serbia kishte luajtur në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Megjithatë, BE-ja ende nuk ka lëvizur, “me kontakte minimale midis Brukselit dhe Prishtinës”.
Më tej, ky medium shkruan se BE-ja është përmbajtur nga vendosja e masave kundër Serbisë, pavarësisht shqetësimeve të përhapura për zgjedhjet e muajit të kaluar në vend./gazetaere