Një ceremoni përkujtimore dhe funeral u mbajt në Türkiyen jugperëndimore sot për aktivisten turko-amerikane Ayşenur Ezgi Eygi të vrarë më 6 shtator nga ushtarët izraelitë.
Gjatë ceremonisë në shtëpinë e Eygit në qytetin bregdetar të Egjeut, Didim, në provincën Aydın, u bënë lutje për të renë e cila vdiq në moshën 26-vjeçare.
Trupi i saj u soll në shtëpinë e familjes së saj në lagjen Altınkum. Babai i Eygit, Mehmet Suat Eygi, burri i saj me origjinë pakistaneze Hamid Mazhar Ali dhe një grup të afërmsh shoqëroheshin nga Mahinur Özdemir Göktaş, ministrja turke e Familjes dhe Shërbimeve Sociale.
Ministri turk i Drejtësisë Yılmaz Tunç vizitoi gjithashtu familjen për të shprehur ngushëllimet e tij.
Pas lutjeve në shtëpinë e familjes, trupi i saj u dërgua në Xhaminë Qendrore të Didimit për një ceremoni mortore.
Pas lutjeve, njerëzit u mblodhën para shtëpisë dhe brohoritën “Vdekje Izraelit”.
Trupi i Eygit varroset pas namazit të drekës në Xhaminë Qendrore të Didimit.
Eygi, 26 vjeçe, kishte udhëtuar në Bregun Perëndimor për të mbështetur rezistencën palestineze kundër pushtimit izraelit, sipas raporteve nga Lëvizja Ndërkombëtare e Solidaritetit.
Më 3 shtator, Eygi shkoi për të marrë pjesë në një protestë në qytezën Beita në Nablus, në Bregun Perëndimor, për të dalë kundër vendbanimeve të paligjshme izraelite atje.
Lëvizja raportoi se më 6 shtator, Eygi u shënjestrua dhe u vra qëllimisht nga një snajper izraelit që qëndronte në një çati aty pranë.
Dëshmitarët okularë thanë se Eygi ishte larg zonës së protestës kur u qëllua nga snajperi. Ajo u dërgua në një spital palestinez, por nuk mundi të shpëtohej me gjithë përpjekjet më të mira të mjekëve.
Eygi, e lindur në qytetin mesdhetar turk të Antalyas në vitin 1998, ndoqi stduimet në psikologji dhe gjuhë dhe kultura të Lindjes së Mesme në Universitetin e Washingtonit në Seattle.
Ajo ishte diplomuar pikërisht këtë qershor dhe ishte e njohur për angazhimin e saj ndaj aktivizmit dhe shërbimit ndaj komunitetit./aa