Gjykata e rrethit Gjyqësor Vlorë ka dhënë masën “arrest me burg” për katër shtetasit rumun të arrestuar tre ditë më parë gjatë operacionit policor të koduar “Camper” si rezultat i të cilit janë sekuestruar 260 kg lëndë narkotike e dyshuar si kanabis sativa.

 

Të kamufluar si turistë, 4 të rinjtë nga Rumania, të ndarë në dy çifte merrnin me qira automjete ‘Campera’ dhe në bashkëpunim me disa persona nga Shqipëria bënin trafikimin e drogës përtej kufirit.

 

Dyshohet se lënda narkotike kultivohej në Shqipëri. Shtetasit rumunë shërbenin vetëm si transportues të lëndës narkotike kundrejt pagesës. Ata janë ndaluar nga policia në Qafë Botë, vetëm pak km larg pikës kufitare me Greqinë.

 

Në automjetet luksoze të marra me qira në shtetin rumun, ishin përshtatur vende fikse për fshehjen e drogës. Policia ka rënë në gjurmët e tyre si rezultat I hyrje daljeve të shpeshta të personave të arrestuar.

 

Nuk dihet se për sa kohë e kanë ushtruar këtë aktivitet të jashtëligjshëm, ndërsa 5 shtetas shqiptarë janë identifikuar dhe shpallur në kërkim nga policia, të cilët mendohet se janë edhe organizatorët e trafikimit të drogës në shtetin grek. Vlera e drogës në treg kap vlerën 700 mijë eurove.