Në kuadër të Festivalit të Shtatë të Filmit Dokumentar të Al Jazeera Balkans (AJB DOC), u shfaq dokumentari i TRT WORLD “Çmimi i tokës” (Holy Redemption), i cili flet për botën e kolonëve radikalë izraelitë në territoret palestineze dhe zbulon strategjinë e Izraelit për të zhvendosur palestinezët.

Filmi është shfaqur në kuadër të programit konkurrues dhe është premiera e tij ndërkombëtare. Ai flet për kolonët e paligjshëm hebrenj, të cilët udhëhiqen nga vizioni i një “Izraeli të Madh” dhe që ndjekin verbërisht liderët e tyre.

Duke vënë në plan të parë sulmin në fshatin Duma dhe duke përfshirë intervista të realizuara gjatë 22 ditëve, filmi zbulon ndikimin e udhëheqësve të kolonëve dhe pasojat për palestinezët.

 

- Protagonistët flasin për herë të parë për pushtimin

Producentja ekzekutive Aslihan Eker Çakmak theksoi se kjo është hera e parë që në një film për pushtimin izraelit nuk flasin palestinezët e plagosur dhe viktimat e dhunës, por kolonët e paligjshëm që janë protagonistët e pushtimit.

“Ata flasin për këtë çështje në film, dhe po ashtu edhe aktivistët izraelitë që kundërshtojnë pushtimin. Filmi është një tregim se si Izraeli e pushton Palestinën dita-ditës”, tha Çakmak.

Duke theksuar se gjatë xhirimeve janë përballur me vështirësi, rreziqe dhe ndalesa të shumta, Çakmak tha se ky projekt kërkonte përgatitje të mirë dhe një rrjet të fortë, të cilin sigurisht e ka TRT WORLD.

“Në film ne shohim fytyrën e vërtetë të pushtimit nga një këndvështrim tjetër. Është gjithashtu e rëndësishme që në mes të sulmeve, disa flasin për të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur kundër Hamasit. Nuk ka Hamas në filmin tonë, këta njerëz të filmit janë pjesëmarrës në një pushtim që nuk ka të bëjë me Hamasin dhe japin një pasqyrë të vërtetë të aparteidit dhe pushtimit sistematik të kryer nga Izraeli”, tha Çakmak.

 

- Asgjë subjektive

Një nga autorët është gazetari Jose Carlos Soares, i cili tha se gjatë filmit ka pasur mundësinë të vizitojë Bregun Perëndimor të pushtuar dhe të shohë, dëgjojë dhe ndiejë pamjen reale të pushtimit mizor.

Ai shtoi se këtu janë të parëndësishme mendimet e tij, çfarë mendon ai si gazetar dhe autor, por se ai ishte aty në një lloj roli si aktivist dhe komentues që transmeton histori të të tjerëve.

“Dokumentari ynë nuk pasqyron opinionin tonë. Në të 53 minutat e filmit nuk ka asnjë mendim apo qëndrim të vetëm që është yni. Janë vetëm fjalët e kolonëve, aktivistëve izraelitë që luftojnë kundër grupeve radikale të kolonëve. E keni dëgjuar ish-kryeministrin të thotë se grupet mesianike janë të rrezikshme. Këtu mund të dëgjoni përfaqësuesit më të lartë të kolonëve duke thënë se ata duhet të vrasin palestinezët dhe se e gjithë ajo tokë, përfshirë Gazën, është izraelite”, tha Soares.

AJB DOC zhvillohet nga data 13 deri më 17 shtator dhe Anadolu është partneri i saj global i komunikimit./aa