Sipërfaqja pyjore vendit ka pësuar rënie të ndjeshme në vitin 2023 sipas të dhënave zyrtare që publikoi INSTAT. Në vitin 2023 fondi pyjor dhe i kullotave në vend shtrihet në një sipërfaqe të përgjithshme prej 1.420.973 (ha), duke përfaqësuar 49,4% të sipërfaqes totale. Sipërfaqja pyjore dhe kullosore është zvogëluar me rreth 290 mijë hektarë në krahasim me vitin 2022, ku INSTAT ka raportuar 1 mln 731 mijë hektarë.
Reduktimin më të madh e ka sipërfaqja pyjore, pasi sipas të dhënave të fundit të INSTAT vlerësohet se në vitin 2023, kemi një humbje me më shumë se 176 mijë hektarë pyje. Pasi nga 1.1 milion hektarë që ish sipërfaqja pyjore në 2022, në vitin 2023 rezulton që ka zbritur në 969 mijë hektarë.
Reduktim veç sipërfaqes ka pasur edhe vëllimi i pyjeve, pasi në vitin 2023, vëllimi i përgjithshëm i pyjeve, arrin në rreth 53.176.000 (m3), duke u ulur me 1,64 %, krahasuar me vitin 2022. Për vitin 2023, sipërfaqen më të madhe në fondin pyjor, e zënë fletorët me 48,5%, ndjekur nga shkurret me 38,0% dhe halorët 13,5%.
Qeveria në vitin 2016 miratoi zbatimin e një moratorium 10-vjeçar me qëllim ndalimin e prerjeve të pakontrolluara të pyjeve deri në vitin 2026. Por pavarësisht moratoriumit, sipërfaqja pyjore në vend po reduktohet vit pas viti, dhe sipas ekspertëve veç mbishfrytëzimit të pyjeve mbi kapacitet që ato kanë për t’u rigjeneruar, shqetësim janë edhe zjarret masive që kanë përfshirë sipërfaqet pyjore dhe kullosore në vitet e fundit. / Klan News