Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj paraqiti sot në Komisionin për Ekonominë, ndryshimet në ligjin “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre”.
Denaj deklaroi se ky ligj synon të nxisë rritjen e numrit të operatorëve të prodhimit organik dhe për rrjedhojë dhe rritjen e sipërfaqes së volumit të produkteve.
Po ashtu, vuri në dukje ajo, do të ketë një sistem më efikas të kontrollit dhe tregut të produkteve organike, duke rritur sigurinë në zbatimin e ligjit sa i përket kontrollit zyrtar dhe trupave certifikuese të kontrollit.
Sipas ministres Denaj, “Bashkimi Evropian synon që deri në vitin 2030, 25% e tokës bujqësore të jetë e certifikuar si organike, ndërsa Shqipëria, si vend kandidat për në BE, është angazhuar për të përshtatur industrinë e prodhimeve organike “Made in Albania” sipas standardeve evropiane”.
“Ndryshimet e propozuara sjellin një zhvillim të qëndrueshëm të këtij sektori duke garantuar një funksionim efikas të tregut të brendshëm dhe importit të produkteve organike; rritjen e konkurrencës së ndershme dhe mbrojtjen e konsumatorit; garantuar forcimin e sistemit të kontrollit dhe certifikimin e prodhimit organik; ndihmuar fermerët të organizohen në grup për të siguruar prodhimin e nevojshëm për tregun; zhvilluar ekonominë rurale dhe atë të familjeve fermerë; si dhe rritjen e eksporteve me produkte cilësore dhe të sigurta Made in Albania”, deklaroi ministrja.
Sipas saj, të dhënat e deritanishme flasin për afërsisht dy tonë eksport të produkteve organike në vit drejt vendeve të BE, ku kryesisht e zënë produktet bimët aromatike dhe mjekësore, gështenja, frutat e pyllit dhe vaji i ullirit.
Për t’i dhënë shtysë dhe fuqizim sektorit të prodhimit të produkteve bujqësore organike, Denaj theksoi se, është aplikuar në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi të viti 2024 mbështetja e fermave organike.
“Ne vlerësojmë se rritja e prodhimit organik mbështet më shumë se ushqyerjen tonë, natyrën, bio-diversitetin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë”, theksoi ministrja.
Ligjit i cili do hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Ligji do t’i shtrijë efektet pas dy viteve nga hyrja në fuqi, por nderkohe do vijoj procesi i hartimit të akteve nënligjore.
“Kemi parashikuar që ligji t’i shtrije efektet 2 vite pas miratimit nga Kuvendi për t’i lënë kohë subjekteve dhe autoriteteve të përshtaten me ligjin e ri dhe po ashtu për të hartuar një numër të lartë aktesh nënligjore te cilat po ashtu do të jenë përafrim i legjislacionit europian. Në Bashkimin Europian, rregullorja hyri në fuqi 4 vite pas miratimit dhe konkretisht në vitin 2022”, tha ajo./ata