Në Qendrën e Transferimit të Teknologjive në Vlorë, është hapur ekspozita me prodhime autoktone të stinës, fruta, agrume, vaj ulliri dhe verë që prodhohen në bazën eksperimentale nga specialistët e QTTB.

Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Anila Denaj, së bashku me zv.ministrin e Bujqësisë Dhimitër Kote, të deleguarin e PS për qarkun e Vlorës, Bledi Çuçi, vizituan panarin, teksa u njohën nga afër me punën inovatore që bëhet në këtë qendër, për rritjen e prodhimit bujqësor, sipas standardeve më të mira.

“Gjatë ekspozimit u njohëm me aplikimin e teknologjive moderne për rritjen e rendimentit dhe cilësisë së prodhimit”, tha Denaj.

Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (ish-Instituti i Pemtarisë dhe Ullirit), në qytetin e Vlorës, është shndërruar tashmë në një institucion shkencor bashkëkohor.

Pas investimeve të reja në këtë qendër, që ndodhet 15 km në veri të qytetit, kompleksi i Qendrës së Transferimit të Teknologjive, ka marrë tashmë profilin e duhur në funksion të stimulimit të standardeve bashkëkohore në fushën e bujqësisë./ata