Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi sot ndryshimet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor”.

Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhembulla bëri të ditur se si arsye kryesore për propozimin e projektligjit evidentohet nevoja për krijimin e infrastrukturës së informacionit gjeohapësinor në Shqipëri, bazuar në prioritetet e dokumentit të politikave për sektorin e informacionit gjeohapësinor.

“Pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të ligjit, “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”, i cili i konsideron të dhënat gjeohapësinore “grupe të dhënash me vlerë të madhe” nevojitet ndryshimi i qasjes dhe ofrimi i të dhënave pa kufizime, me qëllim ripërdorimin e tyre”, tha ajo.

“Me ndryshimet në vendimet për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor”, ASIG-ut i janë dhënë përgjegjësi të reja lidhur me përpunimin e informacionit gjeohapësinor të kapur (mbledhur) nëpërmjet imazheve satelitore,
teknologjisë UAV, kamera 360 gradë etj. Kjo dhe zhvillimet e vrullshme teknologjike në imazherinë inteligjente sjellin nevojën e përcaktimit në ligj të përdorimit masiv të teknologjisë Remote Sensing dhe produkteve të kësaj teknologjie në të ardhmen”, tha zv/ministrja.

Po ashtu, theksoi zv/ministrja, “rregullon sektorin e informacionit gjeohapësinor, në përputhje me reformën qeverisëse dhe institucionale dhe përcaktimin e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (në vijim ASIG), në varësi të Kryeministrit, si dhe në zbatim të politikave afatgjata për qeverisjen e sektorit të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri, me kohështrirje 2020-2030”.

Sipas saj, miratimi i këtij projektligji do të ndikojë pozitivisht në rritjen e përdorimit të IG-së nga institucionet publike, sipërmarrjet private dhe publiku, vlerën e shtuar të të dhënave gjeohapësinore, ripërdorimin e tyre pa kufizime, në funksion të vendimmarrjes dhe shërbimeve teknologjike./ata