Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ftoi sot të rinjtë që të aplikojnë për të studiuar në shkollën profesionale “Ndre Mjeda” në Bushat.
Denaj u shpreh se, me drejtimet në bujqësi, veterinari dhe teknologji ushqimore, kjo shkollë u mundëson të rinjve të thellojnë njohuritë e tyre në këto sektorë, të cilët janë motori kryesor i zhvillimit për “Shqipëria 2030”.
Denaj solli shembullin e Izmiri Halilit, i cili ndan përvojën e tij, duke ftuar të gjithë nxënësit të ndjekin arsimin profesional, për një të ardhme të suksesshme dhe punësim të sigurt.
“Kam mbaruar studimet profesionale në shkollën “Ndre Mjeda” Bushat në drejtimin veterinari. Aktualisht kam aplikuar në Universitetin Bujqësor për Mjekësi Veterinare. Në këtë shkollë kam studiuar rreth 4 vite dhe kemi pasur shumë praktika si në biznes, ashtu edhe në bazën e shkollës, ku kemi punuar si me kafshët e shoqërimit, ashtu edhe me ato bujqësore”, tha Halili.
Ai u bëri thirrje nxënësve të klasave të 9-ta që të zgjedhin arsimin profesional për një punësim të sigurt dhe të garantuar.
Të interesuarit mund të aplikojnë në e-Albania në shërbimin “Regjistrohu në klasën e dhjetë”, deri më 30 shtator./ata